Homazhet për gjykatësin Astrit Kalaja, Ulsi Manja: Akt barbar, kam dhënë alarmin për më shumë siguri për punonjësit e drejtësisë

Nga A2 CNN
8 Tetor 2025, 10:22 | Aktualitet

Homazhet për gjykatësin Astrit Kalaja, Ulsi Manja: Akt barbar, kam

Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e quajti shok të mirë gjykatësin e ndjerë Astrit Kalaja, teksa bëri homazhe për nder të tij në Pallatin e Kongreseve.

Ai zbuloi se kishte punuar me gjykatësin në Shkodër, në vitet 2002-2007, kur Manja ishte prokuror në këtë rreth.

“Drejtësia ka humbur një qytetar model, një familjar i devotshëm, ndërsa ne një shok të mirë. Ngjarja është tronditëse. Unë e kam thënë që është një akt barbar dhe kam dhënë alarmin për më shumë siguri për punonjësit e drejtësisë”, tha Manja, përcjell A2 CNN.

Kalaja u vra në sallën e gjyqit ditën e hënë, pasi po jepte një vendim për një çështje pronësie. Për ngjarjen u arrestua Elvis Shkambi, 30 vjeç, i cili ishte pjesë në proces. Ai gjithashtu plagosi Rakip dhe Elvis Kurtajn, palë kundërshtare në proces.

Policia arrestoi edhe xhaxhain e Elvisit, Gjon Shkambin, i cili ishte i pranishëm në sallë kur ndodhi vrasja. Gjithashtu u arrestua edhe roja i sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj, i cili akuzohet se ka lejuar Shkambin të futet në gjykatë me armë, pa i kryer kontrollet e duhura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos