Juristi Bledar Dervishaj, i ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Danglli, hodhi akuza të rënda mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor për “hartën gjyqësore”.
Sipas Dervishajt, problemi kryesor është ngarkesa e punës: “Numri i dosjeve që ka një gjykatës, sikur të ishin libra me poezi, nuk do t'i lexonin dot. 10,000 dosje, 12,000 dosje. Po si bëhet drejtësi?”, tha ai, duke theksuar se kjo ngarkesë e bën të pamundur shqyrtimin e çështjeve në mënyrë cilësore.
Ai kritikoi gjithashtu propozimet e KLGJ-së për riorganizim: Këshilli, sipas tij, “duhet t’i tërheqë veshët vetes” për mënyrën se si u morën vendimet. Dervishaj vuri në dyshim logjikën pas transferimeve të gjyqtarëve dhe grumbullimit të dosjeve: po i sjell gjyqtarët, gjykatat dhe dosjet, por “po ku do t'i çojë?”
Ai argumentoi se vendimet e riorganizimit u morën pa marrë parasysh kapacitetet infrastrukturore dhe pa analizuar realisht se si do të administroheshin dosjet. “Kur fliteshin dhe diskutoheshin edhe në këto studio, vazhdonte përpara mazhoranca”, u shpreh Dervishaj, duke i referuar edhe dëgjesave publike të KLGJ-së në Kuvend. (A2 Televizion)