Krerët politikë të Kosovës kanë reaguar pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani gjithë populli shqiptar është në zi.
Osmani ka thënë se Kadare ishte gjeni shqiptar që veprën e vet ia ka kushtuar dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet.
Vdekja e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti është një humbje për gjithë botën.
Kurti me anë të një reagimi ne rrjetet sociale tha se, humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë.
"Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë”.
Ndërkohë, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se letërsia shqiptare humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar. (A2 Televizion)