
Prokurorët që përfaqësojnë SPAK në gjyqin ku ish-ministri Ilir Beqaj akuzohet për kontratën koncesionare të “Sterilizimit”, i thanë gjykatës të martën se i qëndrojnë akuzave “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup kriminal”.
Qëndrimi i prokurorëve u shfaq në zbatim të urdhrit të gjykatës për qartësimin e akuzës së rikualifikuar gjatë gjykimit paraprak, për të cilën Beqaj ka pretenduar se nuk i është komunikuar, shkruan A2.
SPAK: Gjykata në seancë paraprake vendosi që të ndryshonte akuzën nga shpërdorim detyre në bashkëpunim në vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup i strukturuar kriminal. Në atë kohë, seanca i la detyrë prokurorisë që të bënte cilësimin juridik të veprës. Për këtë arsye, në fund gjykata vendosi kalimin e çështjes për gjykim për këto dy vepra. I qëndrojmë akuzave të vendosura në seancë paraprake.
Beqaj: Do doja ta lexoja argumentin e dhënë nga organi i akuzës, përsa i përket rikualifikimit të veprës. Ky është një dokument i lidhur me akuzën, nuk ka minimalisht një numër në vlerë shifra e vjedhjes, siç nuk ka asnjë veprim apo mosveprim timin, organi i akuzës nuk ka përmbushur urdhrin. Ne do kërkojmë që të shprehemi në lidhje me këtë moment.
Avokat Ermal Yzeiri: Gjykata mori vendim, e urdhëroi prokurorin, është pa bazë ligjore, nuk ka ku të mbështetet. Duhet ju si gjykatë të shpreheni nëse ky akt i përmbush kërkesat që ia keni lënë. Nëse ju do t’i jepni kohë prokurorisë për të përmbushur kërkesën tuaj, dakord, ose duhet të na jepni ne kohë që të bëhemi gati për të dhënë argumentat tona.
SPAK: Në vlerësimin tonë akti që është paraqitur, në vetvete bën një sqarim për ndryshimin e akuzës, ne na u kërkua të bëjm një sqarim se cila është akuza, me të cilën është përcjell për gjykim i pandehuri. Ne kemi shpjeguar hapat proceduriale çfarë ka ndodhur.
Beqaj: U rikonfirmua që organi i akuzës nuk ka vepruar i pavarur, meqenëse jemi para kësaj, që ju nuk jeni gjykatë e paanshme. Pasi gjykata urdhëroi që të ndryshohej kjo akuzë. Akuza ndaj meje nuk është bindja e prokurorëve.
Avokati: Kjo nuk mund të konsiderohet sqarim i një akuze, nëse ky është akti definitiv, nga SPAK atëherë kërkoj kohë të paraqes argumentat e mia.
Gjykata, pasi u kthye nga Dhoma e Këshillimit, vendosi që duke i lënë kohë prokurorisë për të sqaruar akuzën, gjykata vlerëson se akuza është atribut i prokurorisë, si gjykatë themeli nuk mund të bëjë ndryshim akuze.
Avokati i Beqajt: Ne kërkojmë kohë për të dhënë shpjegimet tona.
Beqaj kërkoi që të mos qëndrojë më në kafaz, por të jetë në sallë, “pasi prania ime nuk i prish asnjë punë askujt”.
SPAK: Për këtë proces ai nuk ka masë arrest në burg, ky është komenti i vetëm që ne kemi.
Gjykata, e këshilluar në vend vendosi që kjo ka të bëjë me rregullat e shoqërimit të Drejtorisë së Burgjeve. Megjithatë, gjykata do të disponojë me vendim në fillim të seancës së ardhshme.
Gjykata vendosi të shtyjë seancën për t’i dhënë kohë avokatëve për kërkesat paraprake të palëve. Seanca e radhës do të mbahet në datën 28 prill, ora 12:00. (A2 Televizion)