Sulme drejt Iranit bëhen përditë nga Shqipëria. Kështu tha në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Floriar Arapi. “Jemi ngatërruar, kemi marrë ata të Iranit, nuk kishim pse. Ata punojnë natë e ditë duke sulmuar Iranin, me forma propagandistike, kibernetike. Është rrezik. Vërtet na e kanë kërkuar aleatët dhe kemi detyrim. Ne e sulmojmë Iranin! Nga territori shqiptar Irani sulmohet përditë. Nga 3000 vetë, ata shkruajnë, bëjnë propagandë. Dhe bëjnë sulme kibernetike”.
Por, sipas deputetit socialist Denis Deliu, situata në kampin e muxhahedinëve në Manëz nuk është më ajo e disa viteve më parë. “Shteti shqiptar i ka marrë të gjitha masat, iranianët mbikëqyren, kontrollohen. Nuk është më situata e mëparshme. Besoj që edhe kohët e fundit nuk kemi pasur probleme të tilla”.
Edhe për Marlind Laçin, i pyetur nga Andrea Danglli ai tha se Shqipëria nuk është e rrezikuar. “Jemi vend periferik. Edhe pse jemi pjesë e NATO-s, nuk besoj se regjimi i Ajatollahut do të ndërmerrte sulm për të goditur Shqipërinë. Por mund të ketë sulme kibernetike. Nuk na lidh ndonjë konflikt. Para se të përshkallëzohej situata diplomatike me Shqipërisë dhe Iranit, nuk ka pasur marrëdhënie të tendosura”, tha ai.
Sipas politologut Enver Robelli, Shqipëria ka paguar çmim shumë të lartë nga sulmet ndaj Iranit, por sot nuk ka rrezik për vendin tonë dhe Ballkanin. (A2 Televizion)