Sezoni turistik në Vlorë, pushuesit: Shqetësim mungesa e pastërtisë dhe çmimet e larta

Nga Edi Ruçi
14 Qershor 2025, 17:10 | Aktualitet

Pirgje me plehra buzë detit. Këto pamje të mbetjeve shpërndare përgjatë vijës bregdetare janë tregues se plazhet e pastra mbetet ende sfidë për institucionet lokale të Vlorës. Shqetësimin e ngrenë pushuesit vendas. Ata thonë se problem mbeten kanalet me ujëra të ndotura dhe mungesa e koshave, shkruan A2 CNN.

“Për ibret. Pse kështu bëhet, me kanale përpara. Shiko si është, pa fshirë...”, thotë një pushuese.

Të tjerë shqetësim kanë mungesën e rojeve të plazhit të cilët duket se nuk kanë nisur punën edhe pse sezoni ka filluar. “Roje bregdetare duhet të ketë, sepse janë mbytur njerëz”, thotë një tjetër pushues.

Për disa pushues problem përbëjnë edhe çmimet. Krahasimin e bëjnë me shtetet ku jetojnë dhe punojnë dhe thonë se në Shqipëri për të njëjtat produkte u duhet të nxjerrim më shumë para nga xhepi. “Çmimet janë për faqe të zezë. Janë shumë më shtrenjtë se jashtë”, thotë një pushuese.

Shqipëria edhe këtë vit synon numër të lartë turistësh por pavarësisht nisjes së sezonit duket se institucionet kanë ende shumë detyra për të përmbushur që vizitorët të ndihen mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos