Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, dy muaj pasi fitoi lirinë me një vendim të Gjykatës së Apelit që refuzoi ekstradimin e tij në Hagë, ka kallëzuar në SPAK ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.
Ish-ushtari i UÇK-së akuzohej për nxjerrjen e të dhënave të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në çështjet që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë, por Apeli rrëzoi akuzat dhe vendosi shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Tanimë Goxhaj ka dorëzuar një kërkesëpadi ku kërkon nisjen e procedimit penal ndaj ministrit Manja, për veprën “Shpërdorim Detyre” e parashikuar dhe sanksionuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Sipas tij, arrestimi që është iniciuar nga Ministri i Drejtësisë duke i hapur rrugë kërkesës për ndihmë juridike të Dhomave Speciale të Kosovës dhe pranimi i letërporosisë pa u përcjellë praktika e ardhur për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës me nënshkrimin përkatës të titullarit të saj, tregojnë se është qartësisht politik dhe i jashtëligjshëm.
“Ulsi Manja i vetëdijshëm totalisht se kjo kërkesë e ardhur tek ai direkt është në shkelje të ligjeve të Shtetit Shqiptar dhe Konventës Europiane Për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, sërish i ka dhënë zor duke u nxituar për të realizuar këtë ekstradim edhe pse ka pasur të gjitha mundësitë kohore dhe ligjore që të mos rrëshqiste drejt kryerjes së veprës penale Shpërdorim Detyre me anë të praninit të kësaj kërkese dhe dhënies rrugë të ndihmës juridike.
Ky nxitim dhe dëshirë e Ulsi Manjës për të kryer këtë ekstradim edhe pse i vetëdijshëm në shkelje ligjore nga ana e tij, vërtetohet me faktin dhe shfaqet në përmbajtjen e shkresës Nr 986/12 të datës 28.07.2023, ku i komunikon Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëshëm Tiranë, si dhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Marëdhënieve Juridiksionale me Jashtë autorizimin për mbajtjen e masës së sigurimit “arrest me burg”, caktuar me vendimin nr.1123 akti datë 20.07.2023 të kësaj gjykate”, thuhet në kërkesë-padinë e Goxhajt. (A2 Televizion)