
Pastori Akil Pano dhe aktivistja Mirela Arqimandriti janë përplasur në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CN, mbi projektligjin për barazinë gjinore.
Pano tha se 28 organizatat që mbështesin projektligjin janë duke i bërë presion qeverisë dhe Kuvendit përmes ankesave te ndërkombëtarët, për ta votuar ligjin për gjininë e shumëfishtë.
Sipas tij kemi të bëjmë me një agjendë të LGBT-së për të futur programin “Woke” në edukimin parauniversitar. Por Arqimandriti kundërshtoi duke thënë se ky projektligj ka të bëjë me të drejtat e grave dhe burrave në familje.
DEBATI:
Pastor Akil Pano: Atëherë thashë që është një nga spekulimet më të mëdha që përdoret nga 28 organizata që janë bashkëautore të këtij projektligji, ideja se është një nga kushtet ekskluzive për të marrë pjesë si një vend me të drejta të plota në BE për Shqipëri, kalimi i këtij projektligji në ligj në Shqipëri. Më lejoni tu them se nga 27 vende të BE-së, vetëm dy javë vendet që nuk njohin perceptimin binar, por njohin një perceptim gjithëpërfshirës dhe të shumëfishtë të gjinive si në këtë projektligj, është fjala për Gjermaninë dhe Maltën. 25 vendet e tjera njohin perceptimin binar të gjinive që është mashkull dhe femër. Pra kemi të bëjmë me një spekulim të këtyre personave, të cilët i drejtohen organizmave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit për ti ushtruar presion Kuvendit dhe qeverisë së Shqipërisë. Këto 28 organizatat i kanë dërguar letra BE-së, duke thënë se “jemi përballur me sulme personale dhe ndaj organizatave që përfaqësojmë sidomos nga besimet fetare të organizuara në vend dhe nga politikanët e ekstremit të djathtë”. Pra a e kuptoni sa rëndë ka shkuar situata. Akuzohen bashkësitë fetare.
Mirela Arqimandriti: Të lutem mos i përfshi këto. Ky është një interpretim komplet i gabuar dhe s’ka lidhje fare. Ne nuk kemi përfshirë asnjë nga bashkësitë fetare. Mos thoni gjëra që nuk ekzistojnë. Nuk është kjo deklarata, se e kam lexuar vetë dhe aty s’ka asnjë shprehje të tillë.”
Pastori Akil Pano: Zonjë, nëse do kërkosh të më mbivendosesh nuk do ta lejoj as me zë as me logjike, se nuk mund ta bësh. E bëjnë me krenari këta zotërinjtë sepse thonë e vetmja mundësi që ne kemi, janë këta organizmat ndërkombëtarë. Kërkojnë mbështetjen ndërkombëtare në mënyrë që të bëjnë këtë ekspansion kulturor, që është kundër kulture, është imperializëm kulturor. Në thelb ky projektligj është një kancer, një trup i huaj që synon të shkatërrojë dhe sëmurë trupin kombëtar, në dimension kulturor, të martesës, trupit të fëmijëve.
Mirela Arqimandriti: Ligji është një mrekulli. Është një ligj për drejtësi, për integrimin europian të Shqipërisë dhe 83% e shqiptarëve në bazë të studimeve... S’mund të thuash një kancer.
Pastori Akil Pano: Për mua dhe për 98% të shqiptarëve është kjo që po ju them unë. Nëse do silleni në studio si burrë, do t’ju trajtoj si burrë. Kancer mo patjetër është ky. Ju nëse keni problem parash dhe fondesh mund t’i mbroni. Problemi ynë janë fëmijët zonjë. Është familja.
Mirela Arqimandriti: Populli shqiptar është një popull përparimtar dhe 83% e shqiptarëve kanë thënë se duan të përafrohen me BE-në. Duanë të jenë te BE-ja.
Pastori Akil Pano: Ja ku e ke nenin. Po, po sepse është përparimtar populli shqiptar vlerëson martesën mes një burri dhe një gruaje. Dhe nuk do e lejoj njeri që të ushtroni ju ideologjinë gjinore në shkolla. Edukimi i barazisë gjinore ja ku e ke nenin. Ta them unë këtu direkt. Me nenin 33 ju kërkoni të bëni ekspansionin më të madh të ideologjisë “Woke” në edukimin parauniversitar, që nga kopshtet deri në gjimnaz. Do na e mësoni ju organizata LGBT, që të mos prekim ne gratë.
Mirela Arqimandriti: Ky është edukim për të drejtat e grave dhe vajzave dhe djemve e burrave në familjet shqiptare. S’ka lidhje fare me ekspansion. Ekspansion po bëni ju Pano. Jeni kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. (A2 Televizion)
