
Struktura e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka regjistruar një procedim penal në lidhje me abuzimet e fondeve të IPARD në Shqipëri. Kështu u përgjigj kreu i SPAK Altin Dumani në Kuvend, sipas të cilit kjo është një çështje prioritare, por hetimet janë në fazën paraprake.
“Po ka regjistruar një procedim, e kam pohuar edhe në komisionin e ligjeve, por është bërë deklarim publik nga SPAK në hetim dhe po bashkëpunohet ngushtë me OLAF dhe zyrën e prokurorit publik europian, por me OLAF kryesisht si iniciues i këtij procedimi”.
I pyetur nga deputetja e PD-së Elda Hoti, se pse nuk hetohet Frida Krifca, Dumani u përgjigj: “Në atë procedim penal hetohet çdo person që dyshohet se gjatë kryerjes së detyrës ka kryer veprime të kundraligjshme. Është çështje prioritare se kushtëzohemi nga bashkëpunimi me autoritetet e huaja”.
Pyetjes se pse nuk ka veprim të menjëhershëm kur rastet lidhen me qeverinë, përkundër rasteve të opozitës, Dumani iu përgjigj se SPAK është i ftohtë në çështjet penale dhe nuk ka rëndësi se nga cili kamp politik vjen subjekti i veprës penale.
“Ky është vlerësim i juaj zonja deputete Ne jemi të ftohtë në hetimin e çështjeve penale. Nuk na intereson se nga cili kamp politik vjen subjekti i veprës penale. E rëndësishme është të sigurohen provat dhe të ngrihet akuzë e suksesshme. Jemi në fazën e hetimeve paraprake”.
(A2 Televizion)
