
Në një kohë kur truri po eksportohet më shpejt se çdo mall tjetër, Ballkani Perëndimor po kërkon mënyra për të ndalur “largimin e trurit”.
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) hapi sot në Tiranë Ditët e Kapitalit Njerëzor 2025, një forum dy-ditor që bashkon qeveritë e rajonit, Komisionin Evropian, sektorin privat, akademinë dhe organizatat ndërkombëtare për të diskutuar sesi investimi te njerëzit mund të bëhet çelësi i rritjes dhe konkurrueshmërisë së qëndrueshme.
Në hapje, Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanović, e përkufizoi shkurt dhe prerë sfidën e rajonit.
“Rajoni ynë nuk po humbet fabrika apo teknologji, po humbet njerëzit – motorin që mban gjithçka tjetër në lëvizje. Talenti është valuta jonë më e vlefshme. Investimi në të nuk është më strategji zhvillimi, por strategji mbijetese”, tha ai.
Kapetanović solli shifra që flasin vetë: vetëm kostoja e arsimit të një personi në Ballkanin Perëndimor arrin në rreth 25 mijë euro, dhe me dy milionë njerëz që kanë emigruar drejt BE-së në 13 vitet e fundit, rajoni humbet rreth 5.5 miliardë euro çdo vit. “Nuk janë thjesht para”, shtoi ai, “janë mjekët, inxhinierët, mësuesit dhe specialistët që ndërtojnë shoqëritë tona”.
Në fjalimet e hapjes morën pjesë gjithashtu Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Randi Davis nga UNDP dhe Antoine Kasel nga Komisioni Evropian, të cilët theksuan nevojën për reforma në arsim, përafrim me tregun e punës dhe politika që nxisin rikthimin e trurit.
RCC prezantoi edhe dy nisma të reja rajonale:
• Platformën për Bashkëpunim në Infrastrukturat e Kërkimit dhe Inovacionit, në përputhje me Samitin e Procesit të Berlinit, dhe
• RISE – Inovacion Rajonal për Ekselencë të Start-upeve, që do të mbështesë sipërmarrësit e rinj me mentorim dhe financim.
Ngjarja, e bashkorganizuar me UNDP dhe Komisionin Evropian në kuadër të ESAP 3, shërben si një platformë rajonale për të diskutuar harmonizimin e politikave të kapitalit njerëzor me Planin e Rritjes së BE-së dhe Tregun e Përbashkët Rajonal 2.0.
Diskutimet e ditës së parë fokusohen në investimin te njeriu si shumëzues rritjeje, ndërsa dita e dytë do t’i kushtohet punës së ndershme, reformave të tregut të punës dhe përgatitjes për epokën e inteligjencës artificiale.
Ditët e Kapitalit Njerëzor të Ballkanit Perëndimor 2025 zhvillohen më 28–29 tetor në Tiranë, nën moton që përmbledh gjithë thelbin e debatit: “Talenti nuk është eksport, është pasuri kombëtare.” (A2 Televizion)
