Reshjet e shiut u kanë hapur rrugë reshjeve të dëborës. E gjithë Juglindja është zgjuar këtë 23 nëntor e mbuluar nga bora, por sipas autoriteteve, nuk paraqiten problematika të mëdha, përveç pjesëve ku po pastrohet bora dhe disa zonave që nuk kanë pasur energji elektrike. Por shiu ka lënë dëme pas në aksin Qafë Plloçë.
Një tjetër shembje masive ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë, ku një masiv dheu dhe gurësh është shkëputur nga skarpatet e rrugës dhe ka rënë në rrugë, duke bërë bllokimin e saj. Kjo ka ardhur si pasojë e reshjeve të shumta të ditëve të fundit. Për shkak të rrezikut dhe për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës, qarkullimi i automjeteve është devijuar në një korsi të re, e cila ishte hapur disa ditë më parë nga firma kontraktuese, pasi pritej që një situatë e tillë të ndodhte.
Shembje të tilla janë përsëritur disa herë në këtë aks, veçanërisht në lotin e tretë, ndërsa kjo konsiderohet shembja e dytë masive në këtë segment rrugor. Sipas specialistëve, situata ishte e parashikueshme, pasi terreni ku është ndërtuar rruga paraqet paqëndrueshmëri të theksuar. Autoritetet dhe policia rrugore po monitorojnë situatën në terren dhe u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këtë zonë. (A2 Televizion)
