Përplasje në Gjykatën e Lartë për “arrestin në burg”, debat për barrën e provës dhe masat alternative

Nga A2 CNN
9 Prill 2026, 11:13 | Aktualitet

Përplasje në Gjykatën e Lartë për “arrestin

Gjykata e Lartë ka nisur këtë të enjte shqyrtimin për rishikimin e pjesshëm të një vendimi unifikues të vitit 2011, që lidhet me standardet për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Debati në sallë është fokusuar kryesisht tek barra e provës dhe mënyra e arsyetimit të vendimeve nga gjykata. Prokurori Arqile Koça argumentoi se praktika e deritanishme, sipas së cilës gjykata mjafton të arsyetojë masën e vendosur, bie në kundërshtim me ligjin. Sipas tij, gjykata duhet të shpjegojë edhe pse masat alternative nuk janë të përshtatshme.

Nga ana tjetër, gjyqtari Enton Dhimitri ngriti pikëpyetje mbi këtë qasje, duke theksuar se nëse barra e provës i takon prokurorit, atëherë pse gjykata duhet të arsyetojë për masa që nuk janë kërkuar prej tij.

Koça theksoi se sistemi penal funksionon në zinxhir, nga policia gjyqësore te prokurori dhe më pas te gjykata, dhe se një disiplinim më i madh i gjykatës ndikon drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e punës së prokurorisë. 

Në seancë marrin pjesë 16 anëtarë të gjykatës, ndërsa nisma është ndërmarrë nga kryetari Sokol Sadushi. Shqyrtimi unifikues është iniciuar pas rekursit të Prokurorisë për çështjen e Bektash Zenelit, i arrestuar në tetor 2025 në Lezhë, i dyshuar për posedim të 7.5 kg kanabis sativa.

Pjesë nga debati Koça-Dhimitri në sallë

Prokurori Arqile Koça: Është në të mirën e praktikës gjyqësore ndryshimi. Qëndrimi i mbajtur nga Kolegjet në vitin 2011, se gjykata mjafton të arsyetojë masën që merr, është në kundërshtim me dispozitat ligjore, që qartësojnë se gjykata duhet të arsyetojë edhe përse masat e tjera janë të papërshtatshme. Në lidhje se kujt i takon barra e provës. Barrën e justifikimit të caktimit të masës :arrest në burg", i takon prokurorit dhe jo provave pozitive të paraqitura nga i dyshuari. Provat pozitive vlerësohen nga gjykata në harmoni me provat e paraqitura nga prokurori.

Gjyqtar Enton Dhimitri: Pse duhet ta ndryshojmë?

Prokurori Arqile Koça: Ka një kuptim të ndryshëm në lidhje me ç' quhet praktikë e Gjykatës së Lartë, sentenca të caktuara në vendimet unifikuese, apo paragrafë.

Gjyqtar Enton Dhimitri: Nëse pranojmë se barra e provës i takon prokurorit, nëse themi se prokurori ka detyrim të provojë përshtatshmërinë me masën e kërkuar, atëherë përse gjykata duhet të arsyetojë papërshtatshmërinë e masave të pakërkuara?

Prokurori Arqile Koça: Sistemi i drejtësisë penale nis nga OPGJ, tek prokurori e tek gjykata. Nëse ne disiplinojmë gjykatën, atëherë disiplinojmë edhe prokurorin. Problemi që ne ngremë është tek harmonizimi në arsyetim. Ne kemi shqetësim mos kalojmë në ekstremin tjetër, duke u cenuar interesin publik.  Unë përfaqësoj interesin publik. Masat alternative në interesin shqiptar, herë pas here janë të pazbatueshme. Dakord, e lirojmë. Le të dalë. Por si e sigurojmë, që ai do të vijë sërish në gjykatë. Disiplinimi bëhet nga gjykata.

Gjyqtarja Arbena Ahmetaj: Rrethanat objektive për përcaktimin e rrezikshmërisë së veçantë, janë vetëm ato të përcaktuara në legjislacion, apo ju mund të bëni një listë shteruese?

Prokurori Arqile Koça: Evidentuam se standardet e GJEDN diktojnë se nuk është e mjaftueshme vetëm rëndësia e masës, por duhen parë edhe rrethana të tjera. Unë mund të jap një listë orientuese, po jo ezauruese.

Sa i takon barrës së provës, gjykata ka të drejtë dhe detyrim të verifikojë, për aq sa mund të verifikojë. Nëse Apeli i hyn në shqyrtim do të verifikojë edhe fakte të reja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos