
Një 49-vjeçar është arrestuar në Sarandë për përndjekje dhe dhunë psikologjike ndaj një 42-vjeçareje, ndërsa bashkëshorti i saj është proceduar pasi u konfliktua fizikisht me të.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin F. H., 49 vjeç, banues në Borsh, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasja M. M., 42 vjeçe, banuese në Sarandë, e cila pretendon se është përndjekur dhe dhunuar psikologjikisht nga ky shtetas, si dhe i është vjedhur telefoni celular.
Në lidhje me këtë ngjarje, është proceduar penalisht edhe shtetasi B. M., 66 vjeç, bashkëshorti i kallëzueses, i cili është konfliktuar fizikisht me shtetasin F. H., duke i shkaktuar dëmtime të lehta”, njofton policia.
Ndërkohë një 19-vjeçar është shpallur në kërkim pasi dyshohet se plagosi me thikë një 29-vjeçar në zonën e “Eukaliptit”.
“Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin A. M., 19 vjeç, banues në Sarandë, pas kallëzimit të shtetasit G. P., 29 vjeç. Ky i fundit pretendon se më datë 05.04.2026, në vendin e quajtur “Eukalipti”, në Sarandë, është goditur me mjet prerës (thikë) nga shtetasi A. M., duke pësuar dëmtime”, njofton policia.
Ndërkohë, në Vlorë është proceduar penalisht një 15-vjeçar që u kap duke drejtuar automjet pa leje drejtimi në aksin Kaninë-Vlorë. (A2 Televizion)