Urbanisti Imeldi Sokoli zbuloi në “Ditarin e fundjavës” me Erion Dushin, në A2 CNN, problematikat e pronësisë me të cilat përballen banorët e Thethit, në një kohë kur IKMT prej një jave ka nisur një aksion për shembjen e objekteve të ndërtuara pa leje në zonë.
Sokoli sqaroi se në disa zona rurale malore, përfshirë Thethin dhe Vermoshin është zbatuar e drejta zakonore e ndarjes së pronës dhe ndaj nuk ka regjistrim fillestar të saj.
“ASHK apo çdo institucion paraardhës i kësaj agjencie, apo Hipotekës në gjuhën popullore ka dështuar në mënyrë që të bëjë një ndarje pronësie me pronat tradicionale të zonës. Pse ka dështuar kjo? Sepse ato territore, ato zona kanë zbatuar të drejtën zakonore. Pronat atje, është një rast specifik si Thethi, por edhe Vermoshi, fshati Curraj i Epërm, por janë edhe 4 fshatra të tjera në jug me këto problematika. Mund të përmend këtu Lenien, një fshat tjetër në Gramsh, që është me potencial të jashtëzakonshëm po aq sa Thethi. Me zonën rurale malore ndodh që janë të shumtë fshatrat ku nuk ka një regjistrimi fillestar të pronësisë, pra s’ka një akt fillestar që unë ta fus në transaksion pronën time me atë që do ta blej, apo unë që dua ta shes, t’ia shes një investitori apo dikujt tjetër”, shpjegoi urbanisti në “Ditarin e fundjavës” me Erion Dushin, në A2 CNN.
Më tej Sokoli sqaroi se disa banorë në Theth kanë arritur të marrin certifikatat e legalizimit, madje disa prej tyre janë shpërndarë nga vetë kryeministri Edi Rama, por nuk gëzojnë certifikata pronësie, që rrjedhimisht të kenë të drejtën për të kërkuar leje ndërtimi për objektet e tyre të shërbimit, si hotele e bujtina.
“Ka diçka, ne nuk kemi studimin e përgjithshëm të territorit, por kemi disa pika ku Thethi ka disa pika të vogla, ku ka certifikata legalizimi por jo certifikata pronësie. Certifikata legalizimi ka shpërndarë edhe vetë kryeministri para fushatës elektorale, por ato nuk vlejnë si dokumente për të shkuar dhe për të kërkuar një leje ndërtimi, pra nuk janë të mjaftueshme. Këtu problemi është se kemi Kulla 300-vjeçare që ligjërisht janë pa leje. Ky është problemi që ka Thethi. Pra nuk kemi një instrument që e rregullon këtë me banorët e Thethit për të ligjëruar pronat. Nuk është se nuk kemi studime për zhvillimin e pronave sepse është vetë Plani i Përgjithshëm Vendor i bashkisë Shkodër që e ofron këtë. Kemi edhe disa studime për kodet e ndërtimit në zonë, por që të fillojë kjo si akt fillestar ti duhet të zotërosh pronën, në një mënyrë apo në një tjetër”, sqaroi Sokoli. (A2 Televizion)