Para Kishës simbol të Thethit, u mblodh sot Kuvendi i Burrave, një traditë e lashtë e kësaj zone të malësisë së Shqipërisë, për të shprehur shqetësimin lidhur me aksionin e IKMT-së për shembjen e objekteve të ndërtuara pa leje, që po vijon prej një jave.
Të ulur këmbëkryq përballë Kishës dhe në praninë e priftit Pader Kastriot Demaj, banorët e Thethit ngritën zërin në mbrojtje të shtëpive dhe bujtinave të tyre, të cilat i konsiderojnë pjesë të trashëgimisë dhe përpjekjes shumëvjeçare për zhvillimin e turizmit vendas.
“Këto kulla i kemi mbrojtur me gjak”, ishte thirrja në një zë e banorëve, teksa i kërkojnë qeverisë të ndalë aksionin dhe t’i hapë rrugë dialogut.
Komuniteti lokal thekson se nuk është kundër ligjit, por kërkon një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë për ndërtesat dhe sipërmarrjet e tyre.
Përmes këtij kuvendi simbolik, banorët kërkuan më shumë informacion dhe qartësi për mënyrat ligjore se si mund të legalizojnë ndërtimet dhe të bëhen pjesë e “Paketës së Maleve”, për të cilën qeveria pretendon se do t’i japë një hov të ri zhvillimit të turizmit malor.
“Jemi për paqe dhe jo për shkatërrim”, theksoi njëri prej përfaqësuesve të komunitetit. (A2 Televizion)