
Erozioni ka prekur edhe vijën bregdetare në zonën e Golemit, bëhet fjalë për pedonalen, e cila është shembur plotësisht në një segment të saj.
Ndonëse është në një zonë publike, ndërtimi i shëtitores është bërë nga subjektet private që kanë hotelet në zonë. Por pas shembjes kërkohet që rindërtimi të bëhet me parametrat e duhura pasi turistët për shkak edhe të motit pritet të vijnë së shpejti në zonë.
E kontaktuar nga A2 CNN, Bashkia e Kavajës bën të ditur se është në koordinim me sektorin privat për rehabilitimin e segmentit të dëmtuar. Sipas saj, situata kërkon një investim më rrënjësor në mbrojtjen bregdetare, investim që, përtej mundësive financiare të pushtetit vendor, duhet të vijë nga qeveria qendrore.
Në një zonë ku turizmi përbën burimin kryesor të të ardhurave, dëmtimi i infrastrukturës nuk është thjesht çështje estetike, por një sinjal për nevojën e ndërhyrjeve afatgjata në mbrojtjen e vijës bregdetare. (A2 Televizion)