
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Gjykatës Speciale në Hagë që të marrë në konsideratë kërkesën e 200 mijë njerëzve që u bashkuan në një manifestim masiv në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Në një postim në rrjetet sociale, shoqëruar edhe me video nga manifestimi, Balla shprehet se kjo është fjala përfundimtare e popullit.
“E ftoj Gjykatën Speciale të Hagës që ta marrë menjëherë në konsideratë kërkesën e 200 mijë njerëzve!”, shkruan Balla krahas videos.
I invite the Special Court ????Hague to take in consideration these 200 thousands people request immediately! pic.twitter.com/iSTOvB8FXF
— Taulant Balla (@taulantballa) February 17, 2026
Me moton “Drejtësi, jo politikë”, mijëra qytetarë marshuan sot në ditën e pavarësisë së Kosovës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK që po gjykohen në Hagë.
Në këtë marshim në të cilin mori pjesë edhe vetë Balla ishin të pranishëm edhe presidentja Vjosa Osmani, Ali Ahmeti, Taulant Balla, dhe figura të tjera nga forca të ndryshme politike në Kosovë e Shqipëri.
Kryetarja e shtetit të Kosovës është shfaqur përkrah të birit të Hashim Thaçit, Endrit Thaçi, ndërsa shumë qytetarë mbajnë në duar pankarta me mbishkrimet: “Historia nuk mund të rishkruhet”, apo “Liri në emër të popullit”.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte. Të gjithë ish-drejtuesit i kanë mohuar të gjitha këto akuza.
Manifestimi i sotshëm zhvillohet në një datë të shënuar për Kosovën, kur vendi feston 18-vjetorin e pavarësisë, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. (A2 Televizion)