KLSH: Përfituan 137 mln lekë në 2022, check up dhe hemodializa, u paguan edhe shërbimet e pakryera

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2023, 17:40 | Aktualitet

Koncensionari i check up ose thënë ndryshe kontrolli shëndetësor bazë i popullsisë, është paguar plotësisht në vitin 2022 edhe për shërbimet që nuk janë kryer, konfirmohet në auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Sipas KLSH për një total prej rreth 475 mijë rastesh të parashikuara, janë kryer gjithsej 454 mijë e 828 kontrolle. Koncensionari u pagua edhe për mbi 20 mijë raste të pakryera vitin e shkuar, duke sjellë kosto shtesë në buxhetin e shtetit.

“Edhe në vitin 2022, si në vitet e mëparshme, që prej fillimit të zbatimit të kësaj kontrate, janë likuiduar fatura referuar numrit të projektuar të KMB sipas kontratës dhe jo sipas numrit faktik të kryer, për rrjedhojë është faturuar shërbim i pakryer për 20,172 raste, me një kosto në shumën 37,2 milionë lekësh me TVSH”.

Në raportin e auditimit KLSH vëren se nuk është përmbushur qëllimi i dhënies me koncesion të këtij shërbimi, ai i kapjes së sëmundjes në fazë të hershme nëpërmjet analizave, për të parandaluar rastet e rënda. Kontrollet bazë janë shtuar vitin që shkoi, por numri i të sëmurëve kronikë është rritur me mbi 8600 persona, vë në dukje KLSH.

“Shifrat tregojnë se efektet e masës profilaktike “Kontrolli Mjekësor Bazë”, nuk janë reflektuar në rezultat konkrete, në uljen e sëmundshmërisë së popullatës, duke cenuar efektshmërinë e përdorimit të këtyre fondeve”.

Për shërbimin e pakryer por të paguar KLSH i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë për marrjen e masave edhe për koncesionarin e hemodializës. Për 1 mijë e 36 raste të pakryera, koncesionari është paguar 99.1 milionë lekë.

KLSH nënvizon në auditimin e kryer se kufizimi i shërbimit të analizave mjekësore ka sjellë drejtimin e pacientëve për marrjen e këtij shërbimi tek subjektet private, duke krijuar kosto për ta, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos