Pronari i kopshtit ku u dhunua një vajzë 3-vjeçare është proceduar penalisht. Bëhet e ditur se 45-vjeçari D. D., akuzohet për veprat penale "Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare", "Fshehja e të ardhurave", dhe "Mospagimi i taksave dhe tatimeve".
45-vjeçari ka ushtruar veprimtarinë pa licencë në një kopsht fëmijësh, në rrugën "Ali Demi", Tiranë, dhe ka fshehur të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet.
Ndërkohë, më herët për ngjarjen janë pezulluar tre zyrtarë të Policisë së Tiranës dhe po hetohen për shkelje të rëndë disiplinore.
Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili e mori vendimin pas publikimit të pamjeve të dhunës në emisionin investigativ “STOP”.
Komisar R. D., me detyrë zv/shef i Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë; Nënkomisar Y. Ç., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1 dhe Nënkomisar E. B., me detyrë specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1. nuk kanë kryer hetime të plota në lidhje me këtë ngjarje, pasi nuk ishte bërë këqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit.
Për edukatoren që dyshohet se ka dhunuar të miturën ka nisur procedimi në gjendje të lirë. (A2 Televizion)