Detaje të reja tregojnë se një pjesë e marrëveshjes shumëmilionëshe po shkon drejt pajisjes së shërbimit të burgjeve shqiptare me automjete të reja.
Marrëveshja e firmosur midis qeverisë në Tiranë dhe asaj në Londër për kthimin në atdhe të të burgosurve shqiptarë që vuajnë dënimin në Britaninë e Madhe, ka nisur nga zbatimi në termat financiarë.
Kështu raporton “The Independent”, teksa në një artikull të botuar rishtazi bëhet me dije se 37 mikrobusë dhe automjete elektrike me kosto 1.5 milionë paund i janë dhënë Shqipërisë, si pjesë e marrëveshjes.
Detaje të reja nga kontratat e qeverisë, të publikuara këtë muaj, tregojnë se një pjesë e milionave të marrëveshjes po shkon drejt pajisjes së shërbimit të burgjeve shqiptare me një flotë të re automjetesh.
Rreth 500,000 £ do të shpenzohen për 15 automjete elektrike, ndërsa 22 mikrobusë të rinj do t'i ofrohen shërbimit të burgjeve të Shqipërisë me një kosto prej më shumë se 1 milion paund.
Qeveria britanike e përshkroi ofrimin e automjeteve elektrike si “pjesë e lëvizjes drejt emetimeve zero në atmosferë dhe si pjesë etënjë nisme më të gjerë gjelbërimi”.
Ministria e Drejtësisë në Londër ende nuk ka thënë se kur do të dorëzohen automjetet dhe nëse do të mund të dërgohen më shumë vetura në të ardhmen në Shqipëri.
Sakaq, dakordësia e arritur në maj mes Ministrive të Drejtësisë në të dy vendet, do të bëjë që 200 shtetas shqiptarë që vuajnë dënimin në Angli dhe Uells të dërgohen në atdhe për të kaluar pjesën e mbetur të dënimit.
Në këmbim, qeveria britanike do të investojë në “modernizimin” e sistemit të burgjeve shqiptare, ndërsa marrëveshja në total pritej t'i kushtojë Londrës rreth 8 milionë dollarë në dy vite.
Përveç kostos totale do të ketë edhe financime të tjera që vijnë direkt nga Home Office, por zyrtarët britanikë këmbëngulin se marrëveshja i kursen vendit miliona paund. Ata shpjegojnë se shpenzimet e shtetit për një të burgosur të huaj në sistemin britanik të vuajtjes së dënimit shkojnë në 40,000 £ në vit.
Duke shpallur marrëveshjen në maj, Sekretari i Drejtësisë Alex Chalk tha: "Publiku pret që kriminelët e huaj duhet të vuajnë dënimet e tyre jashtë shtetit, jo në burgjet tona në kurriz të taksapaguesit". (A2 Televizion)