Ku duhet të raportonte rektori? Reagime pas 24 masave të sigurisë në Universitetin Bujqësor

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2025, 17:08 | Aktualitet

Teksa rektori Fatbardh Sallaku ishte nisur i shqetësuar drejt grupit parlamentar socialist, pedagogët i kishte porositur për proces normal mësimor, edhe pse normaliteti humbi që kur SPAK ekzekutoi masat e sigurisë për 24 anëtarët e stafit të Universitetit Bujqësor, mes tyre edhe administratori.

Pas përfundimit të mësimit apo mes orëve, pedagogët refuzonin të  flisnin për ngjarjen. Madje dhe ata që mund të shpreheshin përpiqeshin të tregoheshin të kujdesshëm.

Ndërsa studentët ishin të tërhequr, gati indiferentë ndaj ngjarjes. Madje edhe ata të rinj që pranuan të flisnin para kamerës, na treguan se nga arrestimet ne universitet më shumë ishin tronditur prindërit e tyre se sa vetë ata.

Kryetari i Sindikatës së pedagogëve të Universitetit Bujqësor inkurajon drejtësinë për t’i shkuar deri në fund ngjarjes, por edhe kolegët e akuzuar për të pritur me durim zbardhjen e çështjes.

Pedagogu Lush Susaj shprehet kritik edhe ndaj rektorit Fatbardh Sallaku që sipas tij zgjodhi vendin e gabuar për  dëgjesën e tij publike.

Raportimi i rektorit  nga grupimi i Partisë Socialiste ka sjellë reagime edhe nga sindikata e punonjësve të universiteteve publike.

Për Sandër Kovaçin kjo është shkelje e autonomisë universitare dhe varësi nga politika. 24 masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të Universitetit Bujqësor erdhën pas hetimeve që SPAK kreu në  lidhje me financime të kryera për ndërtimin e laboratorëve të sigurisë ushqimore që në fakt nuk ekzistonin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos