SPAK e GJKKO i përgjigjen Ramës, Dumani: Akuzat për ndjekje represive, përpjekje e dështuar

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2025, 15:27 | Aktualitet

Kreu i SPAK Altin Dumani dhe ai i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani, iu përgjigjen indirekt akuzave të Kryeministrit Rama sa i përket pretendimit për abuzim me masat shtrënguese të arrestit me burg.

Në një tyezë dedikutar performancës së institucioneve të posaçme të drejtësisë, drejtuesi i SPAK e konsideroi të dështuar përpjekjen për të shpallur SPAK-un si një institucion represiv të ndjekjes penale. Ndërsa Bani u shpreh se kush nuk është i kënaqur me vendimet, duhet t’i kundërshtojë ato në gjykatat e shkallëve më të larta.

Aktiviteti i organizuar nga shoqëria civile mbi performancën e institucioneve të posaçme të drejtësisë u shfrytëzua nga Altin Dumani për t’i dhënë përgjigje akuzave të kryeministrit se SPAK po ndjek një politikë penale represive.

“Përpjekja për të vendosur SPAK si një institucion represiv është një përpjekje e dështuar sepse shifrat flasin vetë. Veprat penale për korrupsionit, masa e arrestit me burg zë rreth 5% të totalit të masave të sigurimit”, tha Dumani.

Kreu i SPAK shkoi edhe më tej, duke nënvizuar se një nga arsyet e ndjekjes së kësaj qasje kanë qenë vetë kërkesat e Ramës.

“Në raportet vjetore që ne bëjmë, një ndër pikat që cekim është si janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit, gjithashtu edhe rekomandimet e Kryeministrit për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha më tej Dumani, shkruan A2 CNN.

Akuzat publike të maxhorancës ndaj drejtësisë, nën etiketën e kritikave konstruktive, nisën me arrestimin e Erion Veliajt, masë shtrënguese që kishte marrë aprovimin nga gjyqtari i posaçëm Erion Bani, i cili ka edhe komandimin si drejtues i GJKKO.

“Është një parim ndërkombëtar që prozhmohet integriteti i gjyqtarëve në momentin që emërohen. Kush ka indicie duhet t’i paraqes në organet kompetente. Dhe nuk mund të bëhet gjyqi i gjyqtarit. Gjyqi i gjyqtarit mund të bëhet vetëm në gjykatë më të lartë. Këto janë parime dhe është mirë që të kuptohet kjo!”, tha Bani, shkruan A2 CNN.

Si Dumani ashtu edhe Bani ishin në sinkron në mënyrën e reagimit publik, ku një qëndrim të posaçëm e kishin edhe ndaj akuzës së ngritur se Drejtësia e re është e pakontrollueshme.

“Ne jemi institucioni më i monitoruar dhe më i kontrolluar. Së pari kemi një kontroll të brendshëm. Kemi hetuar dhe hetojmë njëri tjetrin. Ne kontrollohemi nga KLP, aq sa mund të kontrollohei për vlerësimin e performanacës si edhe disa çështje disiplinore. Kontrollohemi nga ILD dhe këtu nuk bëjmë përjashtim as ne”, tha Dumani.

Me një gjuhë më të moderuar edhe KLP e KLGJ dolën në krah të Banit e Dumanit, por fjalët e përzgjedhura me kujdes bënë kontrast me qëndrimin e ambasadorit të BE-së i cili e bëri të qartë se çdo përpjekje e mazhorancës për të ndërhyrjë në strukturën e reformës në drejtësi nuk do të tolerohet.

“Ne këtë debat duhet ta bëjmë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, dhe kjo duhet të bëhet në formë konstruktive, dhe e bazuar në të dhëna e ekspertizë. Kjo është mënyra e vetme si mund të ecet. Ne duhet të kemi besim që arkitektura që ka kryer reforma në drejtësi është ajo që do të arrijë atë balancën midis llogaridhënies dhe pavarësisë të cilën ne të gjithë e kërkojmë. Bashkimi Europian do të mbetet shumë i kujdesshëm për përmirësimet që duhen në sistem dhe çfarë rekomandimesh do të ketë për procedurat dhe standardet”, tha Gonzato, shkruan A2 CNN.

Në tryezë ra në sy mungesa e përfaqësuesve të mazhorancës socialiste dhe Partisë Demokratike, ndonëse të dyja palët ishin ftuar.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos