Kushtetuesja “lan” duart: Gjyqtarët kanë të drejtë, por pagën e vendos Kuvendi

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2026, 17:44 | Aktualitet

Rritja e pagave për gjyqtarët e prokurorët i takon ligjvënësve dhe jo Gjykatës Kushtetuese. Ky ishte vendimi që dhanë gjyqtarët e Kushtetueses, të cilët e pranuan pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritje page.

Një tjetër vendim, pa vendim të qartë, pas atij për pezullimin e ministrave që Edi Rama çoi në Kushtetuese. Një vendim që kënaq pjesërisht gjyqtarët, por nuk u jep efektet financiare që ata kërkonin, pasi këtë gjë ia lë në dorë Kuvendit, pra mazhorancës, pra Edi Ramës.

Kushtetuesja e ka pranuar si të drejtë kërkesën e magjistratëve për rritje page, por thekson se duhet të jetë Kuvendi ai që të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme deri në datën 31 korrik 2026, shkruan A2.

“Në këto kushte i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, për të përshtatur pagën e magjistratit me standardet kushtetuese, i cili duhet të realizohet brenda datës 31.07.2026. Gjithashtu, duke konsideruar se ligji nr. 33/2023 parashikonte rregullim prapaveprues pasi formula e re përllogaritej nga data 01.04.2023, Gjykata vlerëson se efektet financiare të ligjit të ri duhet të llogariten po nga data 01.04.2023, duke përcaktuar një skemë të arsyeshme përshtatjeje për pagesat e prapambetura për periudhën nga data 01.04.2023 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri”, lexohet në vendim.

Unioni i Gjyqtarëve kërkonte që referenca për pagën e tyre të ishte në shërbimin civil për të përfituar rritje më të shpeshta, por Kushtetuesja këtë kërkesë nuk e ka pranuar: “Gjykata theksoi se ligjvënësi, brenda hapësirës së tij normuese, ka diskrecion për formulën e referencës (në shërbimin civil ose në pagat e funksionarëve publikë të tjerë), duke qenë kjo një çështje që i përket oportunitetit të tij. Megjithatë, në ushtrimin e kësaj kompetence në plotësimin e kuadrit ligjor, ai duhet të mbajë parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës, duke garantuar, në çdo rast, që paga dhe përfitimet e tjera që vijnë si rrjedhojë e zbatimit të sistemit të referencës së pagave, të mos ulen nën standardet e përcaktuara në atë vendim, përveçse kur verifikohet përjashtimi i nenit 138, shkronja “a”, të Kushtetutës”.

Kushtetuesja konstaton që gjyqtarëve u është ulur paga në mënyrë të fshehtë, pasi mosrritja e pagës së tyre dhe rritja e çmimeve nuk kanë qenë në proporcion të drejtë: “Pas vitit 2016, ekonomia e vendit është rritur në vijim, të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur; fenomenet globale (Covid-19 dhe lufta në Ukrainë) kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re sipas ligjit objekt shqyrtimi, nuk është më i ulët se ai i prodhuar nga formula e mëparshme, formula e kundërshtuar në raport me rritjen ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, ka passjellë një ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë, arsye për të cilat ligji nr. 33/2023 duhet të shfuqizohet”.

Kjo kërkesë e gjyqtarëve është kundërshtuar më parë nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si të pajustifikuar dhe skandaloze. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos