Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Marlind Laçi thekson se koncepti i Izraelit të madh, i cili sipas tij ka baza mitologjike, ka si synim kthimin e vendit të udhëhequr nga Netanjahu në superfuqinë e vetme në Lindjen e Mesme. Sipas ekspertit ky plan ekspansionist synon shkatërrimin e sovranitetetit të vendeve si Egjipti, Siria, Jordania dhe Turqia.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Laçi shprehet se Presidenti Trump tashmë po udhëhiqet nga interesi kombëtar i Izraelit në rajon.
“Duket se Presidenti Trump fatkeqësisht tashmë udhëhiqet nga interesi kombëtar i Izraelit në Lindjen e Mesme, kjo edhe për shkak të atyre tezave ekspansioniste për ngritjen e Izraelit të madh që e pretendon Netanjahu, e shpreh edhe ministri i Jashtëm, që këta tentojnë që Lindjen e Mesme ta nënshtrojnë dhe të shtrijnë një shtet izraelit nga brigjet e lumit Nil në brigjet e lumit Eufrat. Duhet të themi që vërtet regjimi i Ajatollahëve është kriminal, por ka përballë një regjim tjetër, ku krerët e tij kërkohen nga Gjykata Penale e Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha eksperti.
“Kemi një tezë të rrezikshme, që buron nga librat e shenjtë sipas Netanjahut, ku tentohet të shkatërrohet sovraniteti i Egjiptit, sovraniteti i Sirisë, sovraniteti i Sirisë, sovraniteti i Libanit, sovraniteti i Turqisë, sovraniteti i Irakut dhe Arabisë Saudite, për të ngritur një koncept mitologjik të Izraelit të madh, prandaj shprehet Netanjahu që ne ke kërkojmë ridimensionimin e hartës së Lindjes së Mesme, që do të thotë që Izraeli të jetë superfuqia e vetme në Lindjen e Mesme”, vijoi Laçi. (A2 Televizion)