Gazetari Robelli: SHBA dhe Irani e përdorën armëpushimin për mburrje

Nga A2 CNN
21 Prill 2026, 21:12 | Aktualitet

Gazetari Enver Robelli u shpreh se armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit nuk është shfrytëzuar për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, por më tepër "për t’u mburrur para opinionit vetjak sa i përket sukseseve".

"Duhet thënë që armëpushimi që po skadon sonte nga të dyja palët nuk është përdorur për të ndërtuar një koncept që do të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, por më shumë është përdorur për t’u mburrur para opinionit vetjak sa i përket sukseseve. Pala iraniane është mburrur se ka shkatërruar, siç thonë ata, 'satanin amerikan'. Presidenti amerikan dhe njerëzit e tij janë lavdëruar se faktikisht e kanë shkatërruar regjimin në Iran". 

Robelli e konsideroi "një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme" faktin e një rifillimi të luftës, e cila sipas tij do të sillte pasoja të mëdha për mbarë botën. Ai gjithashtu cilësoi që regjimi iranian nuk është dobësuar, edhe pse ka pësuar dëme të mëdha.

"Nëse negociatat nuk çojnë drejt paqes, drejt një paqeje të gjatë, afatgjatë, atëherë rreziku ekziston që herët apo vonë, nuk e di a do të ndodhë nesër apo pas një jave, të rifillojnë bombardime, të rifillojë lufta dhe është shumë e qartë që regjimi iranian në brendinë e vet nuk është i dobësuar, përkundër disa dëmeve të mëdha që i ka pësuar. Kështu që është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme, me pasoja jashtëzakonisht të mëdha edhe për mbarë botën".

Robelli u shpreh që asnjëra palë nuk e "shfrytëzon kohën për të ndërtuar një koncept për arritjen e një marrëveshjeje" dhe ndaj e sheh gati të pamundur një dakordësi ndërmjet palëve. Ai e konsideroi këtë situatë si një lojë nervash dhe testesh dhe tha se janë palët që ndajnë se deri ku shkon vija e kuqe.

"Dhe në këtë situatë, kur asnjëra palë nuk e shfrytëzon kohën për të ndërtuar një koncept për arritjen e një marrëveshjeje, atëherë edhe lëshimet e ndërsjella janë jashtëzakonisht të vështira dhe pothuaj të pamundshme, edhe duke marrë parasysh që mosbesimi mes këtyre dy vendeve është jashtëzakonisht i madh. Secila palë, në një mënyrë, do duhej të kishte interes për të arritur një marrëveshje".

"Irani, natyrisht qe ka një interes po ashtu për t’i dhënë fund kësaj situate, sepse dihet që për çdo ditë, ky shtet humb 435 milionë dollarë vetëm për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Por, siç e thashë më herët, problemi është që kjo është tani një lojë nervash. Të dy palët duan ta testojnë njëra-tjetrën se deri ku do të shkojnë dhe ku është vija e kuqe, dhe mbetet në duart e secilës palë për ta definuar se cila është vija e tyre", tha gazetari Robelli nga studioja e emisionit "Off the Record" nga Andrea Danglli.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos