SPAK nuk e kundërshtoi kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për pyetjen si dëshmitar të kreut të qeverisë, Edi Rama, në procesin gjyqësor të dosjes “Partizani” në Gjykatën e Posaçme. Në seancën e së enjtes, duke ju referuar kësaj kërkesë të artikuluar nga avokatët e Berishës, prokurorja Enkeleda Millona, tha se “e lemë në vlerësim të gjykatës”.
Për pyetjen e një agjenti të BKH, për të cilin avokatët kanë paraqitur një foto ku ai është bashkë me ish-ministrin Ulsi Manja gjatë një aktiviteti elektoral SPAK tha se nuk ka kundërshti, por kërkoi të saktësohet se çfarë do të provojë mbrojtja me të.
Struktura e Posaçme i konsideroi të pabaza pretendimet e avokatëve për pa përdorshmëri dhe pavlefshmëri të disa provave.
Moskundërshtia e SPAK ndaj dëshmisë së Edi Ramës nuk u pa si e mjaftueshme nga i pandehuri Jamarbër Malltezi.
Pas shfaqjes së kundërshtive nga prokurorët dhe një debati mes tyre dhe avokatëve, mbi presjet dhe lidhëzat e një neni të Kodit Penal, Gjykata e Posaçme i dha kohë avokatëve të paraqesin me shkrim pretendimet e tyre ndaj qëndrimit të SPAK.
Seanca e radhës u shty për më 15 prill. Në këtë çështje me 8 të pandehur në total, ish-kryeministri Berisha po gjykohet për “korrupsion” gjatë privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa dhëndri i tij, Malltezi, për “korrupsion” dhe “pastrim të parave”. (A2 Televizion)