Kur Edi Rama krijoi këngën e Tironës, asokohe kandidat për mandatin e dytë në krye të bashkisë, as nuk e kish menduar se pas 22 vitesh do t’i rikthehej Tiranës me të njëjtën zhurmë por I plotfuqishëm. Pasi siguroi mandatin e katërt qeverisës, në mesin e sezonit turistik Rama ka ndërmarrë një fushatë kontrolli mbi territorin e vendit dhe te zgjedhurit vendorë. Duke prishur qetësinë e verës, diku edhe planet e tyre për pushime, Rama ka nisur operacionin për lirimin e hapësirave publike.
Vapës së Tiranës i është shtuar zhurma dhe pluhuri nga prishja e shtesave të lokaleve në rrugët dhe hapësirat mes pallateve. Për dhjetëra punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit kjo nuk është dita e parë e punës, por me sa duket ndër të parat ditë që po kryejnë detyrën e tyre të vërtetë.
Pavarësish se bizneset paralajmëruan protesta deri në mbyllje të aktivitetit të tyre, deri tani nuk pati asnjë ulje qepeni nga ana e tyre. Asnjë rezistence ndaj urdhrit të qeverisë për të hequr shtesat e ngritura pa leje. Madje në shumë rrugë dhe komplekse pallatesh vete pronarët e lokaleve po hiqnin vetë, pa zhurmë dhe pa protestë, atë që kishin ngritur prej shumë vitesh në hapësirat e qytetarëve.
Por qytetarët nuk duken aspak entuziastë për aksionin e ndërmarrë nga qeveria. E cilësojnë të vonuar madje theksojnë se subjektet nuk duheshin lejuar që kur zaptuar lagjet dhe trotuaret. Por kryeministri Rama duket i vendosur për të zhbërë atë që gjithë këto vite kryetarët e tij të bashkisë kanë lejuar në kurriz të qytetarëve.
Nuk dihet se sa do të zgjasë ky aksion, por një gjë është e sigurt, Tirona siç e thotë edhe Edi Rama është zhurmë dhe një paradoks i vërtetë. (A2 Televizion)