Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj përkujtoi sot 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, duke e cilësuar atë si masakrën më të rëndë që ka njohur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore.
Në një mesazh të ndarë në rrjetet sociale me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, Presidenti Begaj nënvizon se mbi 8 000 boshnjakë u masakruan nga ushtria serbe dhe mijëra të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, shkruan A2 CNN.
“Jemi pranë familjeve që vijojnë të mbajnë dhembjen e thellë për njerëzit e tyre të dashur, viktima të këtij gjenocidi”, shkruan Presidenti Begaj, duke shtuar se Srebrenica, edhe pas tre dekadash, mbetet një kujtesë e gjallë për domosdoshmërinë e veprimit të përditshëm në shërbim të paqes.
Postimi i Begajt:
30 vite më parë në Srebrenicë ndodhi masakra më e rëndë që Evropa ka përjetuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Më shumë se 8000 djem dhe burra boshnjakë u masakruan nga ushtria serbe dhe mijëra të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicës, jemi pranë familjeve që vijojnë të mbajnë dhembjen e thellë për njerëzit e tyre të dashur viktima të këtij gjenocidi.
30 vjet më pas, Srebrenica na kujton për rëndësinë që ka veprimi i përditshëm i çdonjërit prej nesh në shërbim të paqes. (A2 Televizion)