Marrëveshja me Italinë e finalizuar më herët? Drejtori i portit: Na kërkoi ambasada 5000 m2 në 2 nëntor

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2023, 20:20 | Aktualitet

Drejtori i portit të Shëngjinit, Sandër Marashi ka zbuluar disa detaje të reja në lidhje me marrëveshjen që u nënshkrua një ditë më parë mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni, sipas së cilës Shqipëria do të presë një numër të konsiderueshëm emigrantësh të paligjshëm, të cilët do të arrijnë deri në 36 mijë në vit.

Sipas drejtorit Marashi, ambasada italiane i kërkoi portit të Shëngjinit në datë 2 nëntor një hapësirë 5000 m2, çka lë të kuptosh që marrëveshja ishte përgatitur shumë më herët, megjithë teknikalitetet e saj, teksa ajo që ndodhi në Itali, ishte vetëm ceremonia e rastit.

Marashi ishte i paqartë sesi do të vijonte më tej operacioni për pritjen e emigrantëve, pasi sipas tij, gjithçka do të ishte në duart e palës italiane.

“Ne na është kërkuar nga ambasada italiane një shesh 5000 m2 ku do të vendoset infrastruktura e skicuar. Kjo kërkesë është bërë rreth datës 2 të këtij muaji. Jemi para faktit që ne si port kemi dhënë vetëm sheshin, pjesën tjetër e menaxhon Italia. Sheshi ndodhet brenda portit. Aty nuk do të jetë kamp, pasi në 5000 m2 nuk mund të ketë kamp, por një pikë kontakti dhe do të zhvendosen më pas”, tha Marashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos