2 administratorë të një Call Center në Tiranë janë arrestuar, e ndërsa 7 operatorë janë vënë në hetim për shkak se mashtronin qytetarët për të investuar në bursa fiktive.
Në pranga kanë rënë Saimir Blini dhe Martin Baçi të cilët kishin në administrim një Call Center në Rrugën e Barrikadave. Nga sa është arritur të mësohet, 2 administratorët dhe 7 operatorë telefononin shtetas të huaj, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Në kuadër të operacionit të koduar "Trading” u sekuestruan 2 njësi kompjuterike, një USB, dhe celularë.
"DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë dhe me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar "Trading”.
Mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihen në pranga 2 shtetas (administratorë të subjektit call center) dhe procedohen në gjendje të lirë 7 të tjerë (operatorë).
Sekuestrohen 2 njësi kompjuterike, një USB dhe celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Trading".
Si rezultat i këtij operacion u arrestuan në flagrancë shtetasit S. B., 33 vjeç, M. B., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 7 shtetas të tjerë.
Shtetasit S. B. dhe M. B. kishin në administrim një call center në Rrugën e Barrikadave, në të cilin ishin të punësuar 7 operatorë, të cilët, së bashku me administratorët, telefononin shtetas të huaj, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 njësi kompjuterike, një USB, dhe celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme", njofton Policia.
(A2 Televizion)