“Situata në Lindjen e Mesme e papranueshme”, zyrtari amerikan: Trump mund të shkojë drejt marrëveshjes me Iranin

Nga A2 CNN
10 Mars 2026, 23:01 | Aktualitet

Ilan Berman, Ilan Berman, Zëvendëspresident i Këshillit Amerikan për Politikën e Jashtme, në Uashington DC, ka folur ekskluzivisht në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN, për tensionet në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet që lidhen me Iranin, në një moment kur situata në rajon mbetet shumë e paqartë dhe dinamike.

Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë për një bashkëpunim të ngushtë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit, ndërsa theksoi se fundi i kësaj përballjeje ende nuk është i qartë.

“Situata e tanishme është shumë dinamike, por fundi i fushatës është ende i hapur. Është e qartë që SHBA dhe Izraeli janë duke bashkëpunuar ngushtë”, u shpreh Berman.

Ai shtoi se qëllimi kryesor i kësaj strategjie lidhet me shqetësimet që Perëndimi ka për programin bërthamor të Iranit dhe kapacitetet e tij raketore.

“Kjo është një fushatë që është e ndërtuar përreth idesë që diçka themelore duhet të ndodhë brenda Iranit në mënyrë që të eleminohet kërcënimi që vjen nga programi bërthamor i Iranit dhe nga raketat e tij”, tha ai.

Berman theksoi gjithashtu se qëndrimi i presidentit amerikan Donald Trump është i prerë në lidhje me situatën aktuale në rajon.

“Presidenti Trump e ka bërë të qartë që gjendja e tanishme është e papranueshme dhe diçka thelbësore duhet të ndryshojë për sa i përket sigurisë dhe rendit botëror”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos