Teksa mësimi ka nisur dhe nxënësit janë ulur nëpër banka bashkitë kanë hapur një “lumë” tenderësh për rikonstruksionin e godinave të shkollave. Si “ai që thur gardhin pasi i ku kali”, Bashkia Gramsh do të shpenzojë rreth 140 milionë lekë për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “35-vjetori i Çlirimit Gramsh” dhe ndërtimin e palestrës.
Me kompaninë fituese tashmë të shpallur, nxënësit e kësaj shkolle janë transferuar në një tjetër institucion arsimor. Punimet planifikohet të zgjasin 10 muaj.
Bashkia Elbasan do të shpenzojë rreth 200 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës ekzistuese dhe murit rrethues dhe ndërtimin e shkallës së emergjencës në shkollën “Dhaskal Todri”. Kompania fituese do duhet të përfundojë të gjitha punimet brenda gushti të vitit 2026.
Për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme në Bushat, si dhe shtesën e dy kateve, Bashkia Vau i Dejës ka vënë në dispozicion 120 milionë lekë. Edhe këtu kompania fituese do të ketë 12 muaj në dispozicion për përfundimin e punimeve.
Ndërkohë Bashkia Tiranë ka vënë në dispozicion mbi 166 milionë lekë për blerjen e orendive dhe objekteve të tjera që i nevojiten procesit të mësimdhënies.
Aktualisht në vend ka gjithsej 1 mijë e 363 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme. Në vitin 2013 kishte 1 mijë e 741 të tilla. Në harkun e pak më shumë se një dekade, numri i institucioneve arsimore është tkurrur me 378.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Sportit kjo ka bërë që të ngushtohet edhe raporti mes shkollave dhe nxënësve pavarësisht se tkurrja ka përfshirë edhe këta të fundit. Nga 254 nxënës për shkollë në vitin 2013, raporti ka rënë në 183 këtë vit. (A2 Televizion)