
Projekti i TID Durrës nuk do të ndalet. Këtë deklaroi kryeministri Edi Rama pas takimit me banorët e qytetit të Durrës që preken nga ky projekt. Në një deklaratë për mediat, kreu i qeverisë theksoi se ka diskutuar me banorët dy problematikat kryesore; atë të shtëpive që pretendohen pjesë e trashëgimisë kulturore dhe atyre që nuk janë të regjistruar në hipotekë pavarësisht se janë prej vitesh aty. Gjithashtu Rama tha se është diskutuar edhe çështja e shpronësimeve dhe dëmshpërblimeve, për të cilat duhet parë çmimi i referencës.
“Për sa i përket problemit të vërtetë të qytetarëve dhe të projektit, kemi rënë dakord si do të shkojmë përpara, qoftë me atë verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore, qoftë me dëmshpërblimin dhe shpronësimin. Do të ketë prishje. Projekti nuk do të ndalet, por do të zbatohet. Do bëjmë verifikim për disa shtëpi që janë trashëgimi kulturore të pretenduara dhe një numër shtëpish që nuk kanë marrë regjistrimin në hipotekë dhe pse janë prej shumë vitesh atje. Kemi diskutuar dhe çështjen e çmimit dhe do të duhet të shohim referencat e reja”, tha Rama, raporton A2 CNN.
Ai akuzoi demokratët që nuk kanë hallin e qytetarëve, por të liderit të tyre, duke krijuar situata qesharake
“Me 34 qytetarë të Durrësit përfaqësues të familjeve që kanë këtë problematikë. Kemi folur rreth dy orë e gjysmë dhe biseda ka qenë konstruktive me opinione të ndryshme, por konstruktive ndërkohë që 35 të tjerë që nuk përfaqësojnë, as qytetin dhe as qytetarin por vetëm hallin ne një 80-vjecari të rrjedhur nga çdo rrugë e arsyes, krijojnë situata qesharake dhe tregojnë se ku është katandisur ajo farë partie”, u shpreh Rama, përcjell A2 CNN.
A2 CNN raporton se është shoqëruar në polici një qytetar, i cili në dalje të kryeministrit nga Bashkia, i ka thirrur atij hajdut pronash.
Qytetarët e Durrësit, të prekur nga projekti TID, kanë vijuar edhe sot protestën para ambienteve të Bashkisë. Banorët dhe bizneset e prekura janë njoftuar dje në mbrëmje për një takim në Bashki me kryeministrin Edi Rama, ndërsa ditën e sotme ai mbërriti në bashki në orët e para të mëngjesit. Hyrja e qytetarëve në bashki është bëreë e mundur duke ndjekur procedurat, ku identifikoheshin me kartë ID. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura. Ndërkohë, këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak kanë kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me projektin.
(A2 Televizion)