
Punimet që po zbatohen në pjesën parë të autostradës Tiranë-Durrës deri tek mbikalimi i Rinasit pritet që të mbyllen brenda javës së parë të majit duke e hapur plotësisht atë. Gjatë inspektimit që Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi zhvilloi këtë të enjte në këtë aks theksi u vu tek planet në vazhdim për këtë projekt por edhe një sërë të tjerësh të lidhur me të.
“Brenda javës së parë të muajit maj ky lot i këtij segmenti do të hapet plotësisht. Ky aks ka rëndësinë e tij për lidhjen e portit të Durrësit me Morinën dhe për lidhjen mes Veriut me hyrjen në Tiranë por edhe sa i takon turizmit. Duhet të theksojmë që në këtë segment po punojmë me disa projekte të tjera si Bypassi i Tiranës dhe segmenti Kashar-Lekaj” tha Karakaçi.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli nënvizoi se punimet për dy projektet e tjera si Bypassi i Tiranës dhe Kashar-Lekaj janë në vijim.
“Ne aktualisht në dy kontrata zbatimi sa i takon Bypass të Tiranës jemi në fazat e para dhe 20 për qind të punimeve por ai pritet të bëjë një shkrirje të trafikut. Me përfundimin e tij trafiku do të jetë më i lehtësuar por punimet janë ende në fillim” tha Kozeli.
Ministri nga ana tjetër bëri të ditur do të vijojë puna për zgjerimin e pjesëve të tjera të segmentit Tiranë-Durrës dhe procedurave që lidhen me to.
Kreu i ARRSH solli në vëmendje projekti që pritet të nisë për autostradën i cilësuar si “Arredimi Urban” dhe që synon gjelbërimin, akustikën dhe ndriçimin ndërkohë që do të vendosen edhe të gjithë mbikalimet per kembesoret ashtu siç kanë qenë. Sipas tij nga 5 mbikalime janë në funksion vetëm 2 por do të plotësohen 5 prej tyre pasi zgjerimi i autostradës kërkon thellim dhe tyre. (A2 Televizion)