Hakerat mund të kenë akses jo vetëm në të dhënat personale, por edhe në kamerën dhe audion e telefonit. Këtë paralajmërim dha në Dita Jonë në A2 CNN eksperti i IT-së Shahin Dokuzi, sipas të cilit, nëse një pajisje infektohet nga një virus apo program, është plotësisht e mundur që të aktivizohet kamera dhe mikrofoni pa dijeninë e përdoruesit.
“Në qoftë se infektohet telefoni mund të përdorë kamerën, mund të përdorë audion. Siç e përdor WhatsAppi kamerën audio. Normalisht mund ta përdori edhe virusi atje, kështu që nuk është se ka ndonjë gjë të çuditshme”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Sipas tij një nga rreziqet kryesore mbetet klikimi i linkeve të panjohura apo përgjigjja ndaj email-eve dhe mesazheve të dyshimta. Eksperti këshillon që pagesat, si gjobat apo shërbimet, të kryhen fizikisht ose vetëm në platforma të sigurta, për të shmangur vjedhjen e të dhënave bankare.
“Ideja është të mos klikojmë URL, ose të kthejmë e-maile ose karta në qoftë se nuk i dimë kush janë e tjerë. Duhet të jemi vigjilent. Nuk ka siguri 100%. Normalisht ajo varet dhe nga dora jonë”, thekson ai.
Ai thekson gjithashtu se shumë aplikacione, si TikTok, mund të kenë akses në mikrofon apo të dhëna të tjera edhe kur nuk janë aktivisht në përdorim, nëse përdoruesi u ka dhënë leje më parë.
“Jo vetëm nëpërmjet hakerimit. Për shembull Tiktoku që është raportuar disa herë për të drejtat e privatësisë që e përdor audion edhe kur ne nuk e kemi hapur, sepse i kemi dhënë leje. Pra edhe në qoftë se TikToku është i mbyllur, ne flasim për shembull se na pëlqejnë orët, sapo hapim tiktokin mund të dalin reklama orësh, se ne i kemi dhënë leje çdo aplikacioni, por që ka dhe një opsion në background se çfarë të përdorë kur është i mbyllur. Ai të jep një aplikacion falas, por teknikisht do ta marrë. Pra në qoftë se produkti është falas, produkti jemi ne”, tha eksperti IT në Dita Jonë në A2 CNN.
Në lidhje me kartat bankare, eksperti shpjegon se bankat kanë rritur sigurinë përmes verifikimit me dy hapa, por paralajmëron se për shuma të vogla, transaksionet mund të kryhen pa konfirmim shtesë, duke lënë hapësirë për abuzim.
“Ka raste të plotë që japin kartën. Kemi gjënë e mirë që bankat thuajse kanë implementuar pra kodin e dytë. Në qoftë se ne blejmë shuma 100 dollarë e tjerë nuk është se na vjen njoftim. Është njësoj sikur kur blejmë në market me pak para mjafton ta kalojmë kartën pa futur pinin. Kështu që jemi disi të mbrojtur nga banka. Pra në qoftë se do blejmë një blerje 1.000 euro në qoftë se hakohet karta do na vijë një kod SMS e tjetër, do e kuptojmë që dikush tentojë, por që mund të merren para në shuma të vogla. Pra dhe banka ka rritur sigurinë”, thotë ai.
Eksperti këshillon se kryesore është shmangia e klikimeve të dyshimta, kontrolli i lejeve të aplikacioneve, përdorimi i antivirusëve dhe vigjilenca ndaj mesazheve që nxisin reagim të menjëhershëm.
“Siguria 100% nuk ekziston, por gjithçka varet nga kujdesi ynë”, përfundon eksperti, duke bërë thirrje për më shumë ndërgjegjësim në një botë gjithnjë e më të varur nga teknologjia.
(A2 Televizion)