Miratohet me votat e mazhorancës buxheti 2026 i Durrësit, rritje 6% dhe fokus te arsimi e infrastruktura

Nga Elitjona Doko
24 Dhjetor 2025, 10:04 | Aktualitet

Miratohet me votat e mazhorancës buxheti 2026 i Durrësit, rritje 6%

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar vetëm me votat e maxhorancës buxhetin e Bashkisë për vitin 2026, me 29 vota pro dhe 9 kundër. Sipas të dhënave të prezantuara, buxheti total për vitin e ardhshëm arrin në 6.85 miliardë lekë, ose rreth 68.5 milionë dollarë, duke shënuar një rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2025, i cili ka qenë 6.49 miliardë lekë, respektivisht 64.9 milionë dollarë.

Në ndarjen sipas zërave, 18 për qind e buxhetit shkon për arsimin, ku përfshihen shpenzime operative dhe investime në infrastrukturën arsimore. Rreth 17 për qind e fondit total është parashikuar për infrastrukturën rrugore dhe transportin publik, me qëllim mirëmbajtjen dhe përmirësimin e rrjeteve rrugore dhe shërbimeve të lëvizshmërisë urbane.

Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi zënë 15 për qind të buxhetit, duke mbuluar funksionet administrative dhe shërbimet që lidhen me menaxhimin e strukturave të bashkisë. Menaxhimi i mbetjeve përfaqëson 14 për qind të shpenzimeve, një sektor që mbetet ndër më të rëndësishmit për funksionimin e qytetit. Për kulturën dhe sportin janë parashikuar 9 për qind të fondeve, që përfshijnë aktivitete dhe mbështetje për infrastrukturën përkatëse, ndërsa 6.5 për qind e buxhetit i dedikohet shërbimeve publike, shkruan A2 CNN.

Buxheti i vitit 2026 parashikohet të mbështesë projektet dhe investimet publike që lidhen me zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e shërbimeve për komunitetin, ndërsa miratimi i tij ka ardhur mes qëndrimeve të kundërta mes maxhorancës dhe opozitës në Këshillin Bashkiak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos