Kryeministri i Maqedonisë së Veriut falënderoi banorët e Pustecit për besnikërinë dhe atdhedashurinë e treguar për vendin e tyre, pavarësisht se jetojnë në një territor tjetër.
Gjatë fjalës së tij në Festivalin Folklorik në bashkinë minoritare, Mickoski u tha banorëve të Pustecit se janë sinonim i besnikërisë dhe dinjitetit.
“Sot, kur qëndroj përpara jush, nuk flas vetëm si Kryeministër i Qeverisë, por flas si një njeri që beson se një komb përbëhet pikërisht nga kjo, lidhja mes njerëzve që e ndjej si timen, pa dallim se ku jetojmë. Edhe kur jemi afër, edhe kur jemi larg, qoftë në atdhe apo jashtë tij, ndjenja, identiteti, përkatësia, të gjitha bëhen një. Vendi juaj në këtë histori është i veçantë, jo vetëm sepse gjeografikisht jemi në shtete të ndryshme, por sepse ju jeni thellësisht në zemrën e atdheut tonë. Ju jeni sinonim i qëndrueshmërisë, i besnikërisë së heshtur, i dinjitetit dhe i përulësisë së njëkohshme. Edhe kur askush nuk ju pyeti, edhe kur askush nuk ju përmendi, ju mbetët ata që jeni. Dhe mbetët besnikë ndaj shtetit në të cilin jetoni”, tha ai.
“Këtu, gjuha maqedonase nuk ruhet si zakon, por trashëgohet me dashuri. Këtu, kënga, zakonet, kujtimet janë pjesë e jetës suaj të përditshme. Pikërisht për këtë ndjehet një respekt i thellë kur dikush vjen këtu, jo nga formaliteti, por nga bindja e sinqertë. Më vjen keq që propaganda që ka ndjekur maqedonasit ndër histori nuk ju ka kursyer as ju. Ju jetoni këtu, i nderoni këto troje, i jetoni këto troje. Përmes zëvendësimesh, përmes presionesh, përmes ndalesash, kanë tentuar të tronditin atë që është e juaja, por ju mbetët të palëkundur”.
I pritur me parrullën “Mirë se erdhe heroi ynë”, Mickoski falënderoi banorët e Pustecit për qëndresën e tyre përmes pengesave dhe trysnive. “Mos i lejoni askujt t'jua përcaktojë identitetin në vendin tuaj. Dhe prandaj, vëllezër dhe motra të dashur, Maqedonia ju përkulet. Thuhet se një shtet e tregon pjekurinë e vet përmes mënyrës se si sillet me ata që nuk janë në qendër. Ne sot duam të tregojmë se po mësojmë shtetndërtimin. Pra, duam të vendosim një marrëdhënie të re me ju. Ka të ardhme për çdo fëmijë që mëson në gjuhën amtare. Për çdo familje që dëshiron të qëndrojë këtu. Për çdo të ri që beson se ia vlen të qëndrosh vetja në vendin tënd”, tha ai në fjalën e tij, përcjell A2 CNN.
“Secili që jeton këtu ta dijë se nuk është vetëm. Dua që fshati Pustec të rritet me ndjenjën e përkatësisë, që nuk bazohet në frikë, por në vetëbesim. Dua që çdo prind këtu ta dijë se ka vlerë t’i mësojë fëmijës së vet gjuhën amtare. Dua të krijojmë kushte që këtu të jetohet më mirë, jo me fjalë boshe, por me rezultate të dukshme. Kjo nuk është takimi i fundit. Kjo është një fillim i ri dhe i pari nga shumë të tillë. Sepse puna jonë tani sapo ka filluar”. (A2 Televizion)