Qeveria duhet të aplikojë politika më efikase për të rikthyer interesin e të rinjve drejt degëve të mësuesisë, pasi këto degë duhen shpëtuar në emër të së ardhmes së vendit. Ky ka qenë apeli I rektorit të universitetit të Gjirokastrës në prag të nisjes së vitit të ri akademik.
Dikur një nga furnizuesit kryesor jo vetëm të jugut të vendit por edhe më gjerë më mësues, sot Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër mezi po mban të hapura disa degë të mësuesisë, ndërsa disa të tjera fatkeqësisht janë mbyllur.
Edhe pse ka një rritje të lehtë të regjistrimeve, shumica janë në degë si infermieria, ku të diplomuarit shkojnë shumica në vendet e BE. Ndërsa vendi po vuan për mësues dhe për këtë arsye rektori kërkon nga qeveria politika më të forta për të shpëtuar degët e mësuesisë.
Në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës deri tani janë regjistruar 250studentë të rinj, një numër ky pak më i lartë se viti i kaluar por mjaft i ulët po të kihet parasysh që ky institucion është më i madhi në rajonin jugor. (A2 Televizion)