Azili në Shkodër plot! Strehohen 65 të moshuar, vendet lirohen vetëm në rast vdekje

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazment Janku
2 Tetor 2025, 15:14 | Aktualitet

Në Shkodër azili i të moshuarve është i tejmbushur. Emigrimi i të rinjve ka lënë të moshuarit pa përkujdesjen e duhur, duke i detyruar këta të fundit të kërkojnë strehim pranë institucioneve vendore. Nga azili largohen vetëm ata që ndërrojnë jetë, pasi askush nuk është kthyer pranë familjes.

Ky është Marash Lulaj, ish-kampioni i atletikës dhe ish-shoferi i kinemasë në Shkodër i cili është detyruar që të shkojë në shtëpinë e të moshuarve. I vetmuar prej disa vitesh për shkak se fëmijët dhe të afërmit kanë emigruar, 74-vjeçari në këtë 1 tetor ditën botërore për të moshuar tregon se nuk kishte më forcë të qëndronte i vetëm…

Që në moshë të re spikati si atleti talentuar por edhe pse kishte prirje të mëdha duke fituar disa spartakiada, zgjodhi profesionin e shoferit duke punuar me drejtorët e kinemasë dhe duke qenë afër artit.

Pas afro 20 vitesh në emigracion 74-vjeçari u rikthye në Shqipëri por duke qëndruar i vetëm. Lulaj thotë se komunikimi me fëmijët e tij nuk është edhe aq shumë i shpeshtë..

Aktualisht në shtëpinë e të moshuarve në Shkodër janë 65 rezidentë me kapacitet maksimal por përsëri kërkesa për një vend aty janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit…

Burime pranë drejtorive të shërbimit social bëjnë të ditur se vetëm për azilin shtetëror në Shkodër janë afro 100 kërkesa në vit, pa llogaritur edhe të moshuarit që janë në shtëpitë private apo në disa shoqata humanitare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos