“Mund të bëjnë korrupsion”, SPAK i shqetësuar për disa që kanë kaluar Vetingun

Nga Arestina Skënderi
25 Nëntor 2024, 15:46 | Aktualitet
 

SPAK është përballë presionit se çfarë po bën me gjyqtarët e skualifikuar nga procesi i vetingut për korrupsion, por sot drejtuesi i SPAK Altin Dumani thotë se ka një shqetësim më të madh se ky. Ai dyshon se në sistem ka të korruptuar edhe pse e kanë kaluar filtrin e organeve të vetingut.

Ata do të jenë në fokus të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion tha Altin Dumani duke shfrytëzuar një aktivitet të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“Shqetësimi më i madh nuk janë subjektet e shkarkuara por janë ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë ta ushtrojnë funksionin. Fokusi ynë dhe kjo pjesë e prokurorëve. Ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive”, tha kreu i SPAK.

Ndërkohë Dumani parashtroi arsyet se përse ndër qindra të përjashtuar nga sistemi, janë të paktë ata që kanë dhënë llogari para drejtësisë për pasuritë e tyre të pajustifikuara.

“Kompetencat e SPAK në drejtim të subjekteve të vetingut janë të kufizuara, pasi ne kemi një numër të vogël subjektesh, gjykatë e lartë, kushtetuese, prokurori e përgjithshme. Ne nuk kemi qenë të verbër apo shurdhër për funksionarë të drejtësisë, duke na shërbyer vetëm të dhënat e nxjerra nga procesi i vetingut”, u shpreh Dumani.

Dumani renditi subjektet nga sistemi i drejtësisë që SPAK ka marrë nën ndjekje penale.

“SPAK ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të Kushtetueses, të Gjykatës së Lartë, të KPA, prokurorë të juridiksionit të përgjithshëm, apo oficerë të policisë gjyqësore.”

Në fund të muajit dhjetor anëtarëve të vetingut ju përfundon mandati. Drejtuesi i SPAK do të ushtrojë kompetencat e Komisionerit Publik, sot hallka e ankimuese e vendimeve të shkallës së parë të vetingut për në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos