Muze të verës apo rakisë? Rama apel kryebashkiakëve: Identifikoni shtëpitë e vjetra, të kthehen në atraksione turistike

Nga A2 CNN
3 Prill 2026, 16:05 | Aktualitet

Muze të verës apo rakisë? Rama apel kryebashkiakëve:

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje kryebashkiakëve socialistë që të identifikojnë shtëpitë e vjetra me vlera të rëndësishme kulturore që janë të pabanuara ose në rrënim, me qëllim që mund të merren nga shteti përmes shpronësimit dhe të kthehen në muze.

“Identifikoni shtëpitë që kanë potencialin të bëhen muze, që duhen shpëtuar nga rrënimi, që plotësojnë kriteret për t’u klasifikuar si vlerë në rrezik e trashëgimisë kulturore, sepse janë të pabanuara dhe, ndërkohë, me njerëz të ditur në qytetet tuaja, por edhe me ndihmën e ministrit, por edhe me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, por edhe në komunikim me njëri-tjetrin, ndërtoni një plan muzealizimi të shtëpive të vjetra. Në çdo bashki që ka në zemër të vet një qytet të vjetër apo fshatra të vjetër që vijnë nga më larg, ka shtëpi me vlera të rëndësishme për trashëgiminë kulturore, të cilat janë të pabanuara ose janë në rrënim e sipër. Dhe ajo që po bëjmë me Ministrinë e Kulturës është marrja e tyre nga shteti përmes një procesi ligjor shpronësimi dhe muzealizimi i tyre. Në Tiranë kemi një sërë të tillash që kanë hyrë në këtë proces. Kemi disa edhe jashtë Tiranës. Kam parë listën e ministrisë. Angazhohuni. Shikojeni, përcaktojini si kandidatura për të hyrë në këtë proces. Ndajeni me Ministrinë e Kulturës dhe me Institutin e Monumenteve të Kulturës për të klasifikuar vlerat e tyre dhe planifikoni se për çfarë mund të muzealizohen”, tha Rama.

Sipas tij, Shqipëria ka potencial të madh turistik në çdo cep të territorit, por duhet të shtohen atraksionet. Ai sugjeroi edhe krijimin e muzeve si për rakinë, verën apo vajin e ullirit, për të promovuar më tej traditën shqiptare.

“E keni parë vetë: çdo cep i Shqipërisë ka turistë, sepse në çdo cep të Shqipërisë ka gjëra interesante, por duhet të rrisim atraksionet dhe, ashtu siç duhet ta muzealizojmë trashëgiminë tonë, sepse duhet ta ruajmë dhe ta promovojmë, për shembull, ashtu mund të ekspozojmë edhe të tjera gjëra; mund të kemi muze të vegjël për produktet. Kur vijnë turistët në Shqipëri ose vizitorët ose miqtë, një nga pyetjet që bëjnë të gjithë është: cila është pija karakteristike shqiptare? Dhe ne themi rakia, por ne nuk e kemi një muze të rakisë. Ne nuk e kemi një muze të verës shqiptare. Ne nuk e kemi një muze të vajit shqiptar të ullirit, që ka lloj-lloj variantesh. Edhe rakitë janë me lloj-lloj variantesh. Edhe vera është me lloj-lloj variantesh. Dhe i solla këto si shembuj për të thënë që mund të shkohet në çdo drejtim që është me interes”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos