
Kompania “Gener 2” ka ndërmarrë veprime ligjore duke depozituar katër padi penale ndaj shtetasve Agron Shehaj, Erald Kapri, Ndue Pjetra dhe Prekë Molla, të cilët i akuzon për shpifje dhe denigrim.
Në një deklaratë publike, kompania bën të ditur se zyra e saj juridike ka dokumentuar një sërë rastesh ku këta individë kanë zhvilluar fushatë të koordinuar për të dëmtuar imazhin dhe punën e kompanisë.
Deklarata e plotë
Pas një periudhe të gjatë shpifjesh të orkestruara dhe sulmesh të qëllimshme ndaj reputacionit të kompanisë, “Gener 2” ka ndërmarrë një hap të domosdoshëm ligjor, duke depozituar katër padi penale ndaj shtetasve: Agron Shehaj, Erald Kapri, Ndue Pjetra dhe Prekë Molla.
Zyra juridike ka dokumentuar një sërë rastesh në të cilat këta individë kanë zhvilluar një fushatë denigrimi ndaj punës dhe imazhit të kompanisë, përmes fabrikimit të akuzave dhe shpërndarjes së informacionit të shtrembëruar dhe të pavërtetë, me qëllim manipulimin e opinionit publik.
Përballë shpifjes, presionit dhe dhunës, “Gener 2” ka zgjedhur vetëm rrugën ligjore si e vetmja mënyrë për të mbrojtur të vërtetën nga balta e politikanëve shëtitës, të cilët prej kohësh, për qëllime të errëta kanë përqendruar energjitë për të goditur kompaninë.
Theksojmë qartë se çdo përpjekje për gjobëvënie politike apo “mediatike” do të marrë një përgjigje të vetme dhe të prerë: përballjen me drejtësinë.
Gjithashtu, “Gener 2” gjen rastin të falënderojë partitë politike, mediat, gazetarët dhe organizatat që kanë zgjedhur t’i drejtohen kompanisë për të marrë informacion të plotë mbi çështjen e investimit pranë fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë, me synim shndërrimin e kësaj zone në një pol të rëndësishëm të turizmit në veri.
Pavarësisht rrethanave të pakëndshme, kantieri vijon punën duke zbatuar me rigorozitet projektin, i cili është zhvilluar mbi një bazë të plotë ligjore, i pajisur me të gjitha lejet përkatëse dhe i mbështetur në dokumentacion të verifikuar nga autoritetet kompetente, përfshirë vendime të formës së prerë të gjykatave. Asnjë pretendim publik deri më sot nuk ka cenuar bazën juridike të këtij investimi.
Kompania “Gener 2” ju falënderon për mirëkuptimin dhe mbetet e gatshme të bashkëpunojë me këdo që ka interes për të vërtetën dhe të vërë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e projektit i cili do jetë një potencial zhvillimi për të gjithë zonën. (A2 Televizion)