Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë një 64-vjeçar, banues në Frakull të Vogël, si autorin e dyshuar të një zjarri që shkaktoi dëme të konsiderueshme.
Sipas hetimeve paraprake, zjarri dyshohet se është ndezur nga ky shtetas për djegien e mbeturinave në tokën e tij, por si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 225 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër.
“Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të tjera procedurale, të kryera menjëherë pas njoftimit për vatër zjarri në fshatin Frakull e Vogël, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin N. K., 64 vjeç, banues në fshatin Frakull e Vogël. Nga hetimet dyshohet se si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ky shtetas ka ndezur në tokën e tij, për djegien e mbeturinave, janë djegur 225 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër”, njofton Policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Policia e Fierit apelon që qytetarët të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë dhe të raportojnë çdo rast në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm. (A2 Televizion)