Evakuohen banorët, situatë e rënduar nga zjarret në fshatrat e Delvinës

Nga Gazment Janku
26 Korrik 2025, 09:07 | Aktualitet

Vatrat e zjarrit kanë rrezikuar banesat dhe jetët njerëzore në fshatrat e Delvinës. Një situatë e jashtëzakonshme në kufijtë e apokaliptikes mund të cilësohet situata pasditen dhe mbrëmjen së premtes në fshatrat Kalas, Tatzat, Senicë, Palavli, e Vergo të Delvinës. Për shkak se zjarri ishte thuajse jashtë kontrollit fshatrat Palavli dhe Vergo u evakuuan për të garantuar jetën e banorëve.

Në zonë, forca të shumta të zjarrfikësve, pushtetit lokal, vullnetarëve dhe drejtuesve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, janë përpjekur të mbajnë nën kontroll situatën.

Ndërsa banorët përjetuan ndoshta momentet më të vështira që kishin kaluar ndonjëherë.

Sakaq vatra të fuqishme zjarri ka patur edhe në Senaster në bashkinë e Selenicës, ndërsa në afërsi të qytetit të Beratit një vatër në vijë të gjerë u përhap edhe në malin e Shpiragut, çka angazhoi forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile të prefekturës si dhe bazën ajrore. 

Sakaq dita e sotme parashikohet gjithashtu e vështirë për këto zona që kanë patur vatra masive zjarresh, pasi temperaturat pritet të jenë mbi 40 gradë duke favorizuar riaktivizmin e flakëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos