“Ne jemi ajo që bëjmë dhe jo ajo që flitet për ne”, Proda: Ta bëjmë Policinë më të besueshme dhe më të fortë

Nga A2 CNN
13 Janar 2026, 11:39 | Aktualitet

“Ne jemi ajo që bëjmë dhe jo ajo që flitet për

Ne jemi ajo që bëjmë dhe jo ajo që flitet për ne. Kështu u shpreh drejtori i përgjithshëm Ilir Proda gjatë fjalës së tij në ceremoninë e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, duke u kujtuar përgjegjësinë e misionit që mbajnë mbi supe për ta bërë policinë më të besueshme.

“Nëpërmjet sulmeve dhe përbaltjes së padrejtë ndaj kontributit të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që sakrifikojnë çdo ditë për të mirën e përgjithshme. Kjo ditë nuk është vetëm festë. Është kujtesë e përgjegjësisë që mbajmë mbi supe dhe reflektim për misionin tonë. Sjellja etike, humanizmi, angazhimi dhe sakrifica juaj është baza e besimit të qytetarëve për një shoqëri më të sigurt. Vetëm me profesionalizëm, integritet dhe bashkëpunim do ta bëjmë Policinë e Shtetit çdo ditë më të besueshme dhe më të fortë”, deklaroi Proda përcjell A2 CNN.

Ai renditi arritjet e vitit të fundit, përfshirë goditjen e grupeve kriminale, luftën kundër narkotikëve, uljen e kriminalitetit dhe bashkëpunimin e suksesshëm me partnerët ndërkombëtarë.

“Viti që lamë pas tregoi fuqinë dhe vendosmërinë tonë, operacione të suksesshme kundër grupeve kriminale, luftë të pandërprerë ndaj kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, zbardhje të ngjarjeve kriminale, ulje të kriminalitetit, përballim të suksesshëm të sezonit turistik dhe të aktiviteteve me famë ndërkombëtare, si dhe zhvillim të Akademisë së Sigurisë si një qendër moderne dhe konkurruese për të rinjtë. Të gjitha këto janë dëshmi se Policia e Shtetit nuk stepet, nuk thyhet dhe nuk ndalon kurrë. Ajo zhvillohet, trajnohet dhe punon çdo ditë më mirë, për qytetarin dhe ligjin”, shtoi ai.

Duke pranuar se Policia nuk është perfekte, Proda theksoi sfidat për përmirësim të vazhdueshëm.

“Përpos kësaj, organizata jonë nuk është perfekte, ashtu si dhe ne nuk jemi të tillë. Të gjithë ne jemi në sfidë të përditshme, sfidë me veten, sfidë me standardet, sfidë me pritshmëritë, për të mësuar nga gabimet dhe për t’u përmirësuar”.

Ai vlerësoi historinë 113-vjeçare të Policisë së Shtetit, duke e cilësuar si shtyllë të rendit, ligjit dhe stabilitetit shoqëror, si dhe simbol të bashkimit kombëtar.

Kreu i Policisë nderoi 231 dëshmorët e rënë në krye të detyrës, duke i cilësuar si themelin moral dhe institucional të Policisë. Ai shprehu mirënjohje për veteranët dhe brezat e rinj të efektivëve, duke theksuar sakrificën dhe përkushtimin e përditshëm të tyre.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos