Gara për drejtorin e Gardës së Republikës së Shqipërisë ka dështuar, duke mos finalizuar një fitues. Në mesazhin dërguar kandidatëve nga Ministria e Brendshme thuhet se pas përfundimit të të gjitha fazave të parashikuara të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave, procedura nuk është finalizuar me shpalljen e një kandidature fituese.
Ka dështuar në minutën e fundit gara për drejtorin e ri të Gardës së Republikës së Shqipërisë. Kandidatët që morën pjesë në garë janë njoftuar me një email nga komisioni i vlerësimit, i ngritur nga ministria e Brendshme. Të tetë kandidatët njoftohen se gara është finalizuar pa një fitues, duke sjellë një rast të paprecedent që nuk ka ndodhur më parë në një garë të hapur nga Ministria e Brendshme.
Në mesazhin që u është dërguar 8 kandidatëve thuhet:
“Në vijim të procedurës së konkurrimit për përzgjedhjen e kandidatit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, ju informojmë se, pas përfundimit të të gjitha fazave të parashikuara të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave, procedura nuk është finalizuar me shpalljen e një kandidature fituese.”
Burime bëjnë me dije për A2 CNN një nga kandidatët që është vlerësuar nga komisioni më me shumë pikë, i mungon një nga kriteret ligjore për t'u shpallur fitues, siç është cikli i dytë i arsimit të lartë. Për këtë arsye edhe gara nuk është finalizuar me fitues, edhe pse sipas ligjit kandidati që vjen me më shumë pikë në rend zbritës duhej të shpallej fitues. Por ky rregull nuk është ndjekur dhe pritet që të hapet sërish garë.
Kujtojmë që pas dorëheqjes së Ermal Onuzit në qershor 2025, drejtor i komanduar i Gardës u caktua Simon Zereci.
Më 16 dhjetor 2025 Ministria e Brendshme hapi garën për zgjedhjen e drejtuesit të ri, ku aplikuan ish-deputeti i PS, Denis Deliu, eksperti i njohur i sigurisë Faik Basha, drejtori i komanduar i Gardës Simon Zereci, Vasil Çuni, Arian Sopiqoti, Ilirjan Hasanaj, Liman Hoxha dhe Zaje Osma. (A2 Televizion)