Pa shpresë dhe me projekte të dështuara që do të siguronin punësim, banorët e Lazaratit kanë si mundësi të vetme emigrimin për të siguruar të ardhurat për veten dhe familjet e tyre. Edhe projekti për laboratorin e bimëve medicinale të inaguruar 3 vite më parë nuk funksionoi asnjëherë.
Kjo godinë dikur e shkollës “Muhamet Gjollesha” dhe më pas e përdorur si laborator për bimët medicinale, në Lazarat njihet si simboli i shpresave të shuara dhe projekteve që nuk u bënë asnjëherë.
Ndonëse në vitin 2019 kjo godinë u rikonstruktua për të qenë një shkollë, nuk arriti dot të luajë këtë funksion.
Më pas në vitin 2023 kjo godinë u shndërrua në një laborator për bimët medicinale me laboratorë për përpunimin dhe tharjen e tyre. Në përurimin e kësaj qendre në vitin 2023 ishte dhe vetë kryeministri Edi Rama me ministren e atëhershme të mjedisit Mirela Kumbaro.
Projekti u prezantua si një mundësi për Lazaratin dhe fermerët e zonës, të cilët do të sillnin bimët medicinale. Por sot kjo godinë hesht. Nuk është as shkollë, as laborator, por thjesht një godinë e braktisur.
Investimet e bëra për ta përshtatur si shkollë dhe më pas si laborator I bimëve medicinale, shkuan dëm. Për Lazaratasit, ajo godinë duhej të qëndronte si shkollë dhe se ideja e laboratorit ishte një dështim për të mos thënë mashtrim.
Emigrimi ka mbetur e vetmja mundësi për banorët e Lazaratit, i cili po përpiqet të distancohet nga e kaluara. Ndërsa rrezikon që pa shkollë dhe pa mundësi punësimi, ky fshat të mbetet edhe pa shpresë për të ardhmen. (A2 Televizion)