Nga gjobë në burg, “parkimi dysh” do ndëshkohet deri në 3 vite heqje lirie

Nga Xhensila Kodra
11 Korrik 2025, 16:51 | Aktualitet

“Parkimi dysh përherë ka qenë një fenomen shqetësues, jo vetëm për drejtuesit e automjeteve por edhe për këmbësorët. Nëse një drejtues automjeti do ta parkojë makinën e tij dysh, siç është rasti konkret pas krahëve të mi, nuk do të ndëshkohet vetëm me masë administrative gjobë, por do të rrezikojë dënim deri në 3 vite burg”.

Kjo masë drastike e thënë të enjten nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, duket se do të jetë e nevojshme aty ku nuk do të tolerohet më bllokimi i qarkullimit të automjeteve, të ambulancave, zjarrfikësve apo rrugëve kryesore vetëm sepse dikush ka vendosur të parkojë ku t’i dojë qejfi.

Deri më tani, secili efektiv i Policisë që ka konstatuar një drejtues mjeti që ka parkuar në mënyrë të parregullt në rrugë apo dysh, është gjobitur me masë ndëshkuese nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë të reja, sipas asaj që parashikohet në Kodin Rrugor. Por tashmë, çdo shkelës rrugor që parkon dysh në rrugë duke bllokuar qarkullimin e mjeteve të transportit, çështja do të referohet në prokurori, sipas nenit 293 të Kodit Penal.

Në këtë nen, konkretisht citohet se “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos