Agim Pllashniku u nis në këmbë nga Prishtina, për të qenë këtë të premte në Tiranë, në tubimin pro Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-luftëtari tregon pse e ndërmori këtë udhëtim, për të cilin ishin në dijeni vetëm familjarët. “Jam nisur nga busti i Zahir Pajazitit në Prishtinë për të mbërritur te busti i komandantit tonë legjendar Adem Jashari”, tregon ai në një intervistë për Puls nga Bruna Çifligu në A2 CNN.
“Nisma është për mbrojtjen e krerëve tanë që gjenden në Hagë, të gjithëve. Mbahen prej 5 vitesh padrejtësish në Hagë, me aktakuza të Serbisë. Ne e dimë fort mirë çfarë masakrash ka bërë Serbia në Kosovë, ka dhunuar femra, ka vrarë fëmijë... Duhet të dënohet Serbia si shtet e jo të merren çlirimtarët tanë në Hagë”.
“Kam udhëtuar prej 2 ditësh. Kam udhëtuar 2 ditë e 2 net, kam pushuar 3 herë nga 2 orë, kam udhëtuar edhe natën. Më ka mbështetur edhe shteti shqiptar edhe populli. I falënderoj. E kam marr këtë udhëtim i vetëm, por nuk jam vetëm, derisa kam marrë flamurin e UÇK-së në shpinë, të gjithë veteranët janë pas meje”, shtoi ai. (A2 Televizion)