Tubimi pro UÇK-së në Tiranë, me flamuj kuqezi e këngë patriotike nisen autobusët e parë nga Prishtina

Nga A2 CNN
17 Tetor 2025, 10:47 | Aktualitet

Tubimi pro UÇK-së në Tiranë, me flamuj kuqezi e

Katër autobusët e parë janë nisur nga një pikë në Prishtinë drejt Tiranës me protestuesit pro Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të marrin pjesë në tubimin e orës 17:00, në sheshin “Skënderbej”.

Me flamuj kuqezi, simbolet e UÇK-së dhe këngë patriotike, qytetarët nga Kosova kanë nisur kështu marshimin drejt Shqipërisë për protestën gjithëkombëtare.

Ndërkohë gazetari i A2 CNN në Kukës, Ervin Mehmeti raporton se kolona të shumta qytetarësh nga Kosova po kalojnë kufirin në Morinë, duke udhëtuar drejt Tiranës për t’u bashkuar në protestën e sotme.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, Kryekomunari i Prishtinës, Përparim Rama zbuloi se OVL/UÇK i janë vënë në dispozicion gjashtë autobusë pa pagesë, që do të nisen nga kryeqyteti i Kosovës.

“Ne kemi pasur takime dhe biseda me organizatën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kemi pasur kërkesë që t'ju ndihmojmë me transportin. Gjashtë autobus prej Prishtinës do të nisen për në Tiranë. Edhe kjo ka qenë kërkesa, këtë e kemi plotësuar. Normal çfarëdo tjetër që ka nevojë. Ne jemi në përkrahje të veteranëve, në përkrahje të vlerave të UÇK dhe ju falënderojmë shumë edhe Tiranës që kanë mundësuar që kjo protestë gjithëkombëtare të ndodhë tash edhe në Tiranë. Është një organizim madhështor. Faktikisht kemi të gjithë shqiptarët nga pjesë të ndryshme këtu të regjionit, e kemi edhe të tjerë që vijnë edhe kemi informata që po vijnë edhe nga pjesë të tjera të botës t'i bashkëngjiten kësaj proteste. Kështu që nuk kam asnjë dyshim që do të jetë madhështore”, tha ai në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.

Ndërkohë, kreu i OVL-së Hysni Gucati zbuloi në “Ditari i pasdites” me Pandi Gjatën, në A2 CNN detaje nga tubimi.

Sipas tij nuk do të ketë fjalime nga politikanë shqiptarë në sheshin “Skënderbej”. Gucati tha se të pranishmëve në protestë do t’u drejtohen me një fjalë vetëm dy personalitete të shquara si kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.

"Folësit do të jenë ish-Presidenti i Shqipërisë Afred Moisiu. Respekt, mosha unë e di që e ka një moshë bukur të shtyme, ka mbi 85 vite nëse nuk gaboj, por falë Zotit më duket shëndeti shumë mirë. I dhashtë Zoti shëndet gjithmonë. Atje do të jetë Ali Ahmeti, lideri i shqiptarëve të Maqedonisë apo ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare. Njëri nga organizatorët që do të jem unë do të kem një fjalë dhe do ta ketë një fjalë një familje e dëshmorit, që është i Shqipërisë, qytetari i Shqipërisë që ka luftuar në Kosovë dhe ka vdekur për vendin amë Kosovën për vëllezërit kosovarë që ka vdekur atje dhe ai do ta ketë fjalën në emër të gjithë dëshmorëve të Shqipërisë, djemve të Shqipërisë që kanë luftuar në Kosovë dhe kanë vdek. Kështu që ne nuk do ta anashkalojmë asnjë njeri këtu do të jemi. Uunë e thashë që në fillim punën që kanë bërë këta djem, duke i përmendur Azganin edhe Shkëlqim Hajdarin. Gjithë janë të mirëseardhur, të gjitha shoqatat në edhe jemi duke bashkëpunuar shumë me shoqata të ndryshme në Tiranë. Fjalën do ta ketë edhe kryetari i Shoqatës “Tirana”, që do ta marrë fjalën dhe ai do ta ketë fjalën nesër. Si nikoqir se është nga Tirana është nikoqiri këtu edhe ai do ta ketë fjalën në sheshin e Skënderbeut. Do të mundohemi t'ia shpërblejmë të paktën qytetarëve të Shqipërisë, qytetarëve të Tiranës, se Tirana ka hapur dyert edhe në kohën më të vështirë, atë të luftës”, zbuloi Gucati në “Ditari i pasdites” me Pandi Gjatën, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos